Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur sot aktgjykimin dënues ndaj pesë të akuzuarve për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhe organizimit të skemave piramidale.
Grupi, i cili përfshin emra të njohur për drejtësinë lokale, u dënua me një total prej 18 vjet e 8 muaj burgim.

Detajet e dënimeve për secilin të akuzuar:
Sipas vendimit të gjykatës, dënimet janë ndarë si vijon: Benjamin Bajrami (i njohur si “Benchi”): U dënua me dënimin më të lartë prej 5 vitesh burgim (3 vjet për fajde dhe 2 vjet për organizim të skemave piramidale të bixhozit ilegal).
Roland Ransi: Gjithashtu u dënua me 5 vite burgim (3 vjet për veprën penale të fajdesë dhe 2 vjet për detyrim).
Lulzim Pasuli (i njohur si “Luli”): U dënua me 3 vite burgim për përfshirje në fajde

Benjamin Krasniqi: U dënua me 3 vite burgim për veprën penale të fajdesë. Besart Grosha (i njohur si “Qapo”): U dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim.
Ndaj këtij grupi në vitin 2023 kishte ngritur aktakuzë prokuroria në Prizren.
Çka thuhet në aktakuzë ?
Aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale: “Fajdeja”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe veprën penale “Detyrimi”

Sipas aktakuzës, të lartpërmendurit me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo persona tjerë, kontraktojnë shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale të të dëmtuarit, E.A, ku njëri nga të pandehurit përdor edhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij.

I dëmtuari E.A., detyrohet nga të pandehurit e lartëcekur të paguaj borxh në emër të kamatës shumën rreth 20.000 Euro.
Po ashtu, tutje thuhet se gjatë aplikimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, të pandehurit me datë 22.12. 2021, janë arrestuar në flagrancë gjatë marrjes së kamatave nga i dëmtuari./INS
![]()
