Probleme të shumta të Hoqës së Qytetit
Ata kanë problem me rrëshqitje të dheut, mosrregullim të rrugës dhe problemin më të madh e kanë me përroskën e fshatit, e cila pas shirave vërshohet nga ujërat dhe mbeturinat e shumta që i sjellë uji nga fshatrat përreth.
Berat Krasniqi banor i këtij fshatit ka probleme me rrëshqitjen e dheut afër shtëpisë së tij.
Ai thotë se ndihet i rrezikuar edhe pse ka bërë disa herë kërkesa në Komunë, ku përveç fjalëve thotë se nuk ka marrë asgjë tjetër.
“Dheu çdo vit na rrëshqet me të madhe, problem kryesor është sepse rrugën kryesore të fshatit e kemi lart, që e lidh komplet fshatin, nuk kemi kurrfarë mbrojtje, sidomos kur është koha e dimrit, kur ka rrëshqitje të borës e akullit, kjo na rrezikon neve”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi po ashtu thotë se disa herë ka pasur aksidente të makinave, të cilat i kanë rënë në oborr për shkak të mungesës së një muri mbrojtës apo rrethoje.
“Lart, fshati e di, neve na kanë ra edhe kerret në oborr, ka ra kerri në oborr edhe me gjakderdhje, e kemi çu vet në spital”, thotë banori.
“Pjesa nalt e rrugës, aty gjithmonë fshati ka qarkullim, qarkullimin në verë nuk e kemi problem, por kur po janë rrëshqitjet dhe ngricat e kemi rrezikun e madh”, shton ai.
Edhe Rasim Shala thotë se këto dy lagje janë lënë anash dhe përveç fjalëve nuk po marrin asgjë .
“Jetojmë këtu si të anashkaluar. Qe disa herë vijnë bëjnë matje- çmatje, incizime, premtime e punë nuk ka. Ne jemi dy lagje këtu, Krasniqi dhe Shala, që na kanë anashkalu. Shkakun nuk po e dimë, rrugën që e shihni, ura është, por sa herë bjen një trubullimë e vogël uji kalon mbi urë”, thotë ai.
Në anën tjetër, Mazllum Krasniqi si banori më i vjetër i këtyre dy lagjeve thotë se situata gjithmonë ka qenë e njëjtë.
Sipas tij, investimet kanë shkuar në vend të gabuar dhe jo aty ku është dashur.
Qe 70 vjet jetoj unë në Hoqë të Qytetit, premtime na kanë bo boll për rrugën e për urën nuk e di çka janë këto probleme, ne dy lagjet kemi mbetë keq, fëmijët nuk munden me shku në shkollë kur po vjen përroi i madh, rrugën e kanë ndërpre e në anën tjetër e kanë çu rrugën deri te vreshtat që është e panevojshme, e neve na kanë lanë këndej. Çka është kjo puna e këtyre nuk e di”, tha ai.
Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtari për informim në Komunën e Prizenit, Lis Dorambari ka thënë se për rrugën tashmë e kanë një projekt ndërsa për dy problemet e tjera të banorëve do t’i shohin mundësitë buxhetore.
“Sa i përket rrugëve të përmendura, në lagjen Krasniqi dhe Shala, ne veçse e posedojmë projektin. Gjithashtu edhe për dy çështjet tjera do të shikojmë mundësitë tona buxhetore që brenda linjës buxhetore të vitit 2019, t’i realizojmë investimet në këto çështje dhe në masë të konsideruar të bëjmë zgjidhjen e këtyre problemeve për komunitetin e fshatit Hoqë e Qytetit” ka thënë Dorambari.
KALLXO.com ka kërkuar më shumë informacione nga Komuna e Prizrenit rreth këtij projekti, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër.
Ndryshe, në buxhetin e ndarë për komunat, Qeveria ka ndarë 20 mijë euro për ndërtimin e dy urave në këtë fshat.