Problemi me aplikim për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, flet Nagavci
Linku për aplikimin online për subvencionimin për librat shkollorë në platformën e-Kosova, i cili u publikua më 25 gusht, u përcoll me disa probleme për aplikim. Përveç kyçjes, vështirësi raportuan edhe prindërit të cilët i kanë regjistruar fëmijët e tyre në klasën e parë, tre-katër muaj para se ta mbushin moshën adekuate për këtë nivel, raporton Gazeta Sinjali.
Siç deklaruan prindërit, sistemi “e-Kosova” nuk po e njeh aplikimin e tyre, pasi mosha e fëmijës duhet të jetë 6 deri 11.
E, për këtë problem u deklarua sot ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila i siguroi prindërit se kjo ankesë e tyre është duke u trajtuar.
“Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, i sigurova se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile’, u shpreh ajo.
Ndryshe, Nagavci po ashtu njoftoi se janë pranuar rreth 80,000 aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, teksa mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator.