18-03-2026

Procesi i Prizrenit në 70-vjetor: Qëndresa e veprimtarëve hasjanë Demush Cahani e Hasan Bajrami ( Muhadri ) – II

Shkruan: Besim Muhadri    ( pjesa II )

Ndër të dënuarit e Procesit të Prizrenit të vitit 1956 ishte edhe Demush Cahani, një veprimtar i njohur nga treva e Hasit, përkatësisht nga Rogova, i cili në vendimin e gjykatës u dënua me 5 vjet burg të rëndë dhe 2 vjet kufizim të të drejtave qytetare. Ky dënim, i dhënë në një periudhë të tensionuar politike për shqiptarët e Kosovës, kishte një domethënie që shkonte përtej ndëshkimit penal të një individi: ai ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të pushtetit për të frenuar çdo shprehje të vetëdijes kombëtare dhe të mendimit kritik.

Figura e Demush Cahanit përfaqësonte tipin e intelektualit dhe veprimtarit lokal që gëzonte respekt dhe autoritet në komunitetin e tij. Njerëz të tillë, të lidhur ngushtë me jetën shoqërore dhe me opinionin publik të kohës, luanin një rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes qytetare dhe kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, në një sistem politik që synonte kontroll të plotë mbi jetën publike dhe mbi diskursin politik, figura me ndikim shoqëror shpesh konsideroheshin të dyshimta dhe potencialisht të rrezikshme për rendin ekzistues.

Në këtë kuptim, dënimi i Demush Cahanit duhet parë si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të pushtetit për të neutralizuar individët që gëzonin autoritet moral dhe ndikim në shoqëri. Përmes ndëshkimit të tyre synohej të krijohej një klimë frike dhe të pengohej artikulimi i çdo mendimi që mund të interpretohej si kritik ndaj politikave shtetërore.

Megjithatë, pavarësisht dënimit dhe vuajtjeve në burgjet serbo-sllave, figura e Demush Cahanit mbetet një dëshmi e qëndrueshmërisë morale dhe qytetare të një brezi shqiptarësh që, edhe në rrethana të vështira politike, nuk hoqën dorë nga bindjet dhe dinjiteti i tyre. Në këtë kuptim, historia e tij nuk është vetëm një episod personal i përballjes me represionin, por edhe një pjesë e kujtesës historike të qëndresës shqiptare në Kosovë gjatë viteve të sundimit jugosllav.

 HASAN BAJRAM MUHADRI (1915-1981) –PARADOKSI I FUNKSIONARIT TË NDËSHKUAR

Një nga figurat më domethënëse të këtij procesi ishte Hasan Bajram Muhadri, i njohur në popull si Hasan Bajrami. Madje me këtë emër dhe mbiemër edhe u dënua. Në kohën e arrestimit, ai mbante pozitën e kryetarit tëi Komunës së Rogovës së Hasit, madje duke shërbyer në mandatin e tij të dytë. Megjithatë, as kjo pozitë zyrtare nuk e shpëtoi nga represioni politik; ky fakt ilustron qartë se sistemi nuk toleronte asnjë formë që mund të perceptohej si devijim nga linja politikisht e përcaktuar. Statusi i tij nuk kishte asnjë forcë mbrojtëse kundër një pushteti të pandërgjegjshëm dhe të papërmbajtshëm.

Dënimi me dy vjet burg të rëndë nuk ishte thjesht një masë administrative; ai përbënte një akt simbolik të forcës absolute të pushtetit dhe gatishmërisë së tij për të shkatërruar çdo individ, pavarësisht rangut apo reputacionit. Përballë këtij dënimi, Hasan Bajrami përjetoi tortura të rënda fizike, nga të cilat mbeti me tri brinjë të thyera – një dëshmi tragjike e dhunës sistematike ndaj të burgosurve politikë dhe e brutalitetit të regjimeve që nuk pranonin asnjë lloj rezistence morale.

Figura e tij përfaqëson një paradoks të hidhur: një funksionar i zyrës më të lartë lokale, i cili, për shkak të bindjeve të forta dhe integritetit të tij personal, u bë viktimë e një sistemi të ashpër dhe të papërmbajtshëm. Vuajtjet dhe durimi i tij e ngritën figurën e Hasan Bajramit në një simbol të qëndresës morale dhe të sakrificës personale, duke dëshmuar se as pushteti, as titulli nuk mund të mbrojnë kurrsesi kundër padrejtësisë politike dhe se dinjiteti individual shpesh qëndron mbi çdo status zyrtar. / Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Procesi i Prizrenit i vitit 1956 dhe qëndresa e veprimtarëve hasjanë ( pjesa I )

Asnjë koment

Comments are closed.