24-11-2024

Profesori i UP-së humb të afërm nga COVID-19, akuzon rëndë qeverinë

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Selaci, ka bërë sot një shkrim ku ka kritikuar qeverinë aktuale për menaxhimin e pandemisë.

“Status me zemërin e frikë. Pashë jetën, së paku vetëm një ditë, pa lavde e surrata të politikanëve! Ju që i thurni lavde kësaj qeverie ose qitni surratat e tyne në profile private, portale lajmesh e ekrane televizive, hiçmuni sysh, së paku sot. Këto ditë kam pasë tri raste të vdekjes nga Virusi në familje, dy në familjen e gruas sime dhe një në familjen time, andaj nuk mund të duroj surratat e zgërDhimë të atyre që e qeverisën drejt vdekjes një babë dhe vajzën e tij të re, dhe një nënë bashkë me fëmijën në barkun e saj, si dhe shumë raste të tjera tragjike”, shkruan Selaci në llogarinë e tij personale në Facebook. “Edhe po, i zemëruar jam, dhe mendoj se flas në emër të të gjithë të zemëruarve që fajësojnë këtë qeverisje të papërgjegjshme për humbjen e jetëve të të dashurve të tyre nga Virusi”.

Selaci e akuzon qeverinë për të cilën tha se nuk ndërmori asnjë fushatë vetëdijësimi kundër virusit, por përkundrazi kanë lejuar rrëmujë nëpër kafene  dhe ambiente të tjera publike.

“E akuzoj qeverinë që jo që nuk ndërmori kurrfarë fushate vetëdijësuese për rrezikun e Virusit dhe programe edukimi për mbrojtjen prej tij, por me muaj të tanë lejoi rrëmujë në kafe, restorane, klube, salla dasmash, tregje, koncerte, festivale, klube, rrugë e aeroport, duke lënë kështu përshtypjen se iku virusi, e duke u thënë qytetarëve se s’ka rrezik, s’ka krizë! Tash, guxojnë të na thonë se do të ketë edhe fushatë zgjedhore!” “Nuk jam nga ata naivët që presin njëfarë shpëtimi si mesianik nga politika ose shpresojnë qeverisje sipas modelit nordik, por pritshmëritë i kam goxha të ulëta nga politika, duke pasë parasyshë rrethanat politike, socioekonomike dhe kulturore në vend”.

“Kështu, politikës i falë dhe i kisha falë shumë paaftësi, papërgjegjshmëri, mbrapshti e padrejtësi në qeverisje. Mirëpo, kur na udhëheqin politikanë kaq të pandjeshëm për vleftën e jetës së njeriut, nuk di çfarë tjetër duhet me ndodhë për mos me u zemëru me qeverinë aktuale dhe mos me u frikësu nga ajo!”

Asnjë koment

Comments are closed.