22-11-2024

Projekt për përkrahje të komunitetit RAE në situatën e krijuar nga COVID19

Në këtë situatë të pandemisë globale, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë mbetet grupi më i cenueshëm në shoqëri. Varfëria kronike e këtyre komuniteteve i vendos ato në ballë të grupeve të margjinalizuara, dhe mos ndërhyrja me kohë gjatë kësaj krize të pandemisë, i rrezikon të gjitha përmirësimet që janë bërë deri më tani në pozicionin e tyre në sektorë të ndryshëm, kryesisht në arsim, shëndetësi dhe ekonomi, etj të arritura gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit me mbështetjen e qeverisë, donatorëve dhe shoqërisë civile të këtyre komuniteteve.

Në përgjigje të kësaj situate, KFOS është duke vazhduar me fazën e dytë të projektit emergjent që synon të mbështesë komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në situatën e krijuar nga pandemia, duke kontribuar në stabilitetin e pozitës së këtyre komuniteteve në Kosovë duke iu përgjigjur nevojave të tyre më urgjente. Projekti synon që 1) të sigurojë mirëqenien e pjesëtarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në situatën e krijuar nga pandemia, 2) të përkrahë komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në fushën e arsimit, përkatësisht për të ndihmuar procesin e e-mësimit për fëmijë, dhe 3) mbështetja dhe ngritja e kapaciteteve të shoqërisë civile dhe mediave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, në mënyrë që të mund të japin informacion me kohë në gjuhë të kuptueshme për komunitetet e tyre dhe të jenë të fuqizuar të mbështesin komunitetin e tyre në këto ditë të vështira për ta.

Projekti intervenon në ndërmarrjen e katër grupeve kryesore të aktiviteteve: 1) Sigurimi i pakove ushqimore dhe higjienike për 2800 familje, përfshirë 710 pako mësimore, 2) Përkrahja direkte e fëmijëve në procesin e e-mësimit dhe sigurimi i internetit për 208 familje, 3) Mbështetja e mediave rome, ashkali dhe egjiptiane, nga të cilat 7 radio lokale, dhe 4) Mbështetja e punës së 11 organizatave me bazë në komunitet / OJQ-ve.

Këtë projekt emergjent KFOS e zbaton në 14 komuna të Kosovës në bashkëpunim me organizatat me bazë në komunitet: Balkan Sunflowers Kosova, Nevo Koncepti, Bethany Chtistian Services, Roma and Ashkali Documentation Center dhe Romtegra.

Projekti gjithashtu realizohet edhe me ndihmën e organizatave SHL- Kosova, Roma in Action, Art Stras Union, Bashkimi Rinor e Ardhmja e Ndritur, Përparimi Rinor i Ashkalinjve të Mitrovicës, dhe Rrjeti i grave rome, ashkali dhe egjiptiane i Kosovës, njofton përmes një komunikatë OJQ “ Nevo koncepti”.

Asnjë koment

Comments are closed.