Prokuroria cakton grup të ekspertëve në rastin ndaj të 14 inspektorëve të ATK-së dhe tre tjerëve
Në këtë rast, të dyshuar janë inspektorët: Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Lisjeta Krasniqi-Fejzullahu, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamed Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica dhe Isen Lipovica. Po ashtu, ndërtimtari Besim Batatina, pronari i biznesit “Batatina BB”, Bedri Batatina dhe biznesmeni Feim Pulaj.
“САКТОНET grupi i ekspertëve me përgatitje profesionale adekuate në lëminë financiare dhe përvojë të mirë të çështjeve të ekspertimit të lëndëve financiare, për dhënien e mendimit dhe konstatimit lidhur me analizën financiare, për të cilin janë duke u zhvilluar hetimet sipas aktvendimit për fillim të hetimit dhe zgjerim të hetimit…”, thuhet në vendimin që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar.
Grupi i ekspertëve është caktuar në përbërje nga: Hysen Ramabaja- kryetar (auditor ligjor dhe ekspert financiar gjyqësor), Nijazi Junuzi- anëtar (auditor ligjor dhe ekspert financiar gjyqësor) dhe Kujtim Raçi- anëtar (ekspert financiar gjyqësor).
Sipas vendimit, ekspertët obligohen të analizojnë dhe japin mendimin dhe konstatimin për të gjeturat nga raportet e kontrollit dhe rikontrolleve nga ATK-ja për kompaninë “Blueplan Kosovo AG” sh,p,k., konkretisht nga raporti i kontrollës i 31 gushtit 2020 nga DOR “PZ2”, raporti i rikontrollit i 15 marsit 2021 nga ekipi prej tre inspektorësh dhe raporti i rikontrollit nga DHTI-ja i 21 tetorit 2021.
Po ashtu, ekspertët obligohen të analizojnë dhe japin mendimin dhe konstatimin për të gjeturat nga raportet e kontrollit dhe rikontrolleve nga ATK-ja për kompaninë “Lakeside AG” sh,p,k., konkretisht nga raporti i kontrollës i 31 gushtit 2020 nga DOR “PZ2”, raporti i rikontrollit i 12 marsit 2021 nga ekipi prej tre inspektorësh dhe raporti i rikontrollit nga DHTI-ja i 21 tetorit 2021 në lidhje me kërkesën e kompanisë për rimbursimin e TVSH-së për periudhën 01-02/2020.

Më tej, grupi i ekspertëve obligohet të analizojë dhe japë mendimin dhe konstatimin për të gjeturat nga raporti i kontrollit nga ATK-ja për kompaninë “Batatina BB” sh.p.k., të 22 shkurtit 2021 në lidhje me ekzistimin ose jo të 23 faturave të dyshimta të cilat janë lëshuar ose jo për kompaninë “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k.
Gjithashtu, të analizojë dhe japë mendimin dhe konstatimin nëse rimbursimet e TVSH-së të cilat i ka marrë kompania “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k., sipas vendimeve të: 10.04.2018, 06.01.2019 dhe 19.08.2019 janë të njëjta apo përfshihen në kërkesën për rimbursim të kompanisë “Lakeside AG” sh.p.k., për periudhën 01-02/2020 dhe nëse po, a mund të përfshihen në kërkesën për rimbursim të kompanisë “Lakeside AG” sh.p.k për periudhën 01-02/2020.
Grupi i ekspertëve po ashtu duhet të analizojë dhe të japë mendimin dhe konstatimin nëse 23 faturat e lëshuara nga “Batatina BB” sh.p.k., për kompaninë “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k., të cilat nga analizimi i raporteve të kontrollit dhe rikontrollit rezultojnë të jenë fatura fiktive, atëherë a duhet të konsiderohen si fatura fiktive edhe faturat e lëshuara nga “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k. për “Lakeside AG” sh.p.k..
Më tej, thuhet të analizojë dhe japë mendimin dhe konstatimin përfundimtar nëse ka shmangie nga tatimi për kompanitë “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k. dhe “Batatina BB’ sh.p.k, si dhe nëse i takon apo jo e drejta e rimbursimit të TVSH-së, gjegjësisht a ka kreditim të mbetur tek kompania “Lakeside AG” sh.p.k..

Tutje, të analizojë dhe japë mendimin dhe konstatimin në mes të transaksioneve të paraqitura në skemë trekëndëshi ndërmjet kompanive “Blueplan Kosovo AG” sh.p.k., “Lakeside AG” sh.p.k. dhe “RKS Invest AG” sh.p.k., nëse këta janë personal të lidhur dhe nëse transaksionet mes tyre janë transaksione të lejuara sipas dispozitave ligjore mbi sistemin financiar në Kosovë apo janë transaksione të dyshimta financiare.
Si dhe të analizojë dhe japë mendimin dhe konstatimin edhe për çështje të tjera të rëndësishme financiare të cilat mund të rezultojnë gjatë përpilimit të raportit të ekspertimit.
Sipas vendimit, ekspertët janë të obliguar të kryejnë ekspertizën në afat prej 30 ditësh.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 shkurt 2025 kishte nxjerrë aktvendim për pushim të pjesërishëm të hetimit për 14 inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe ndaj Besim Batatinës. Kurse, procedura penale u tha se do të vazhdojë me ngritjen e aktakuzës ndaj biznesmenit Feim Pulaj dhe të pandehurit Bedri Batatina për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”. Për këta dy të fundit, po ashtu u pushua hetimi për nga dy vepra penale.
Sipas vendimit, u pushua pjesërisht hetimi i filluar sipas aktvendimit për fillim të hetimit të 24 marsit 2023 dhe i zgjeruar sipas aktvendimeve të 9 janarit 2024 dhe 28 majit 2024 për inspektorët: Adil Paçarizin, Agim Ramën, Avdi Jakupin, Gazmend Gjocajn, Lisjeta Krasniqi-Fejzullahun, Masar Zejnullahun, Milaim Berishën, Muhamed Rafunën, Murtez Zeqirit, Nesim Bajramit, Safet Temajt, Vllaznim Krasniqit dhe Xhemajl Herticës, të cilët dyshoheshin për veprën penale “Mashtrim në detyrë”.
Po ashtu, hetimi pjesërisht u pushua edhe ndaj inspektorit Isen Lipovica që dyshohej për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas vendimit, u pushua hetimi pjesërisht edhe ndaj ndërtimtarit Besim Batatina i dyshuar për “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”. Po ashtu, për të njëjtat vepra edhe ndaj pronarit të biznesit “Batatina BB”, Bedri Batatina. Gjithashtu, ndaj biznesmenit Feim Pulaj për “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”.
Por, këtë vendim e kishte kthyer në rivendosje Prokuroria e Apelit për të gjithë të dyshuarit. Andaj, caktimi i grupit të ekspertëve është bërë pas vendimit të Prokurorisë së Apelit. Prokurore e rastit është Elza Bajrami-Kastrati.
Ndryshe, 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmeni Pulaj ishin arrestuar më 9 janar 2024 nën dyshimin për disa vepra penale. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Zyrtarët e ATK-së që ishin arrestuar janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdil Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama, Xhemajl Hetica dhe biznesmeni Feim Pulaj. /BetimipërDrejtësi