Prokuroria do të përgjigjet me shkrim, shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve policorë dhe të tjerëve
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarve Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Kujtim Gjilani dhe Arlinda Krasniqi, pasi që prokuroria do të përgjigjet me shkrim për kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Sipas aktakuzës, Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit, i akuzuari Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale marrja e ryshfetit, Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e akuzuara Krasniqi për veprën penale mashtrimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Ervehe Gashi, ka kërkuar nga që gjykata afat prej 15 ditësh që të parashtroj përgjigjen me shkrim lidhur me pretendimet e mbrojtësve të akuzuarve Koqinaj, Fetahaj, Krasniqi dhe Gjilani, avokatët Nazmi Mustafi, Sylë Hoxha, Blerim Cakolli dhe Skender Morina.
“Konsideroj se ky shqyrtim është i parakohshëm, pasi që nuk është përmbush kushti i dhënies së përgjigjes me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit në pretendimet e mbrojtësve të parashtruara në kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Këtë e them nga fakti se dispozita e nenit 247 e Kodit të ri të Procedurës Penale, kërkon që ky shqyrtim të mbahet pas dhënies së përgjigjes me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit, nga kjo konsideroj që ky shqyrtim nuk duhet të mbahet”, ka thënë prokurorja Gashi.
Ajo shtoi se ka pranuar katër kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, e të fundit tha se e ka pranuar më 24 shkurt 2023.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi tha se në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë nuk do të mbahet, e njëjta ka obliguar prokuroren Gashi që në afat prej 15 ditësh të jep përgjigjen me shkrim lidhur me pretendimet e mbrojtjes.
Gjykatësja Elezi, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar më 21 mars 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 21 dhjetor 2022 nga Prokurorisë Themelore në Prizren, Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit, i akuzuari Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale marrja e ryshfetit, i akuzuari Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e akuzuara Krasniqi për veprën penale mashtrimi.
Sa i përket veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive si B.P dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike, e pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahu i cili e punon lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.
Për veprën penale të “Detyrimit” nga neni 328 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej vitit 2018 e në vazhdim, ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e Raiffeisen Bankë nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ ia dorëzojë atij, e që të njëjtit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.
Tutje, sipas aktakuzës, Koqinaj ngarkohet se më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahu në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahu dy vetura, “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 euro e 89 centë.
Për këto veprime, Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 i KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetuesi Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.
Për këto veprime, Fetahaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së.
Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, i mundëson drejtuesit të automjetit Pezho kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit, në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.
Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020, e deri 09 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin, ku fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.
Për këto veprime, Koqinaj dhe Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 323 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.