Prokuroria e Hagës e quan Kosovën “Kosova dhe Metohija”, publikohet dokumenti

Sipas dokumentit, Goxhuli mbeti i shtangur kur një prej hetuesve e përdori këtë term gjatë leximit të një dokumenti zyrtar.

Ai e cilësoi referencën si thellësisht fyese dhe më pas e paraqiti rastin pranë Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Përdorimi i termit ‘Kosova dhe Metohija’ është fyes dhe bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës. ZPS-ja duhet të veprojë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës, dhe një gjuhë e tillë është e papranueshme në një proces që pretendohet se zhvillohet në emër të popullit të Kosovës”, thuhet në ankesën e Goxhulit.
Sipas tij, nuk bëhej fjalë për një lapsus apo keqkuptim, pasi termi ishte lexuar nga një dokument zyrtar, gjë që ngre dyshime serioze për qasjen e ZPS-së ndaj shtetësisë së Kosovës.
Çfarë thotë Prokuroria e Specializuar?
ZPS-ja e ka pranuar se termi është përdorur gjatë intervistës dhe e ka cilësuar si një gabim të paqëllimshëm.
Megjithatë, kjo nuk i mjaftoi Sefer Goxhulit, i cili kërkoi që Avokati i Popullit të ndërhynte dhe të konstatonte shkeljen.
Si reagoi Avokati i Popullit?
Në vendimin e tij, Avokati i Popullit pranoi se termi ishte fyes për ankuesin, por e hodhi poshtë ankesën, duke u arsyetuar se përdorimi i termit ishte bërë “pa qëllim” dhe se ZPS-ja kishte marrë masa për të shmangur përsëritjen.
“Pas shqyrtimit të Kushtetutës së Kosovës dhe të instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nuk u gjet se ishte shkelur ndonjë e drejtë e mbrojtur”, thuhet në vendim.
Pavarësisht praniminit të gabimit nga prokuroria, Avokati i Popullit nuk e ka konsideruar atë të mjaftueshëm për ta mbështetur ankesën e qytetarit.
Ky rast ka nxitur shqetësime serioze për qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare ndaj shtetësisë së Kosovës dhe sjell pyetje të reja për legjitimitetin e qasjes së tyre.