Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim ndaj dhjetë të arrestuarve për bixhoz në Suharekë
Dhjetë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë si të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale në Suharekë, pas një operacioni të zhvilluar Njësitë e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Suharekë.
Referuar informacioneve të dyshuarit u kapën në flagrancë nga Policia duke luajtur bixhoz në lokalin “Real Game Zone”.
Prokuroria Themelore e Prizrenit sot ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve të lartpërmendur.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj dhjetë (10) personave të dyshuar: L.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ”Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par. 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par.2 lidhur me nenin 31, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.