Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të arrestuarin për Keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim dhe mashtrim
Prokuroria Themelore në Prizren, konfirmoi se në bashkëpunim me policinë, me datë 21.04.2025 ka arrestuar të dyshuarin A.H., dhe për të njëjtin ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, raporton Gazeta e Prizrenit.
A.H., ishte arratisur nga Republika e Kosovës që nga viti 2021, dhe ndaj tij kishte
urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar). I njëjti, është arrestuar për
shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo
autoritetit zyrtar” , “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Mashtrimi”.
Sipas kërkesës i pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo
autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie
për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e
analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në
vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke
rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të
dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe
kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në
total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e
gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme
pasurore. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës
apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Po ashtu, A.H., si person zyrtar, në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme, në
atë mënyrë që me datë 25.01.2019, në ambientet e institucionit Mikro-Financiar në
Prizren, përpilon kontratën për kredi, për shfrytëzuesen e kredisë – të dëmtuarën, pa
qenë ajo fare prezente dhe në rubrikën ku figuron nënshkrimi i huamarrëses – në
vend të saj shënon me dorën e tij emrin e të dëmtuarës, dhe në vend të
bashkëhuamarrëses – të dëmtuarës, po ashtu me dorën e tij e shënon emrin dhe
mbiemrin e saj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit
zyrtar”sipas KPRK-së.
Gjithashtu, A.H., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur faktet
dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke i
shkaktuar dëm financiar personave tjerë, i mashtron të njëjtit duke i nxitur që të
kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që në vend dhe periudhë
të njejtë kohore të përshkruar si më lart, dyshohet se ka arritur të përfitojë shumën e
të hollave prej 150,660.61 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e
gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar dëme të
konsiderueshme pasurore. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale
“Mashtrimi” sipas KPRK-së. / Gazeta e Prizrenit