Prokuroria e Prizrenit ngrit Aktakuzë ndaj 7 personave për urën që s’u ndërtua fare
Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë kundër shtatë ( 7 ) personave për shkak të dyshimit për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj një personi për “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në cilësinë e personave zyrtarë B.K., M.B., E.Sh., A.E., B.N. dhe Z.T., dyshohen se më 14 korrik të vitit 2019 në Suharekë i kanë tejkaluar kompetencat apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të mundësojnë përfitim të dobisë për tjetrin dhe të shkaktojnë dëm te buxheti.

I pandehuri B.K., sipas aktakuzës, menaxher i kontratës së nënshkruar mes Komunës së Suharekës dhe operatorit ekonomik “G.” Sh.P.K. lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, kishte marrë pjesë në përpilimin e raportit, në të cilin janë paraqitur të dhëna të pasakta lidhur me përshkrimin urës metalike.
I pandehuri M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku ishte paraparë ndërtimi i urës metalike, për të cilën ishte realizuar pagesa, edhe pse një urë e tillë nuk ishte ndërtuar. I pandehuri E.Sh., drejtor i shërbimeve publike dhe përfaqësues i njësisë së kërkesës, nuk i ka kryer detyrimet e tij lidhur me përgatitjen e detyrës projektuese, specifikimeve teknike si dhe para masës dhe para llogarisë, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje ndërmjet dokumenteve projektuese. I pandehuri A.E., në cilësi të hartuesit të projektit, ka përgatitur para masën dhe para llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, ku ka qenë i paraparë ndërtimi i urës metalike ndërsa nuk ishte i paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa në projekt ishte e kundërta, ishte paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa nuk ishte paraparë fare ndërtimi i urës metalike. Ndërsa, i pandehuri B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i pandehuri Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur përmes tenderit, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës, edhe pse ura metalike e paraparë nuk ishte ndërtuar.

“Të pandehurit e lartcekur, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 24,308.00 €, dhe me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria.

Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e përfaqësuesit të grupit të operatorit ekonomik të lartcekur, ka vepruar në kundërshtim me procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, ka paraqitur raportin në të cilin kishte deklaruar si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, në vlerë prej 24,308.00 €, edhe pse ura metalike nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, thuhet nga Prokuroria.
