Prokuroria kërkon dënimin dhe konfiskimin e pasurisë së “Burdushit”, e fituar kundërligjshëm, mbrojtja lirimin
Prokuroria ka kërkuar që i akuzuari Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” të dënohet për veprat penale për të cilat akuzohet dhe t’i konfiskohet pasuria e fituar kundërligjshëm. Sipas ekspertizës së cituar nga organi i akuzës, Peqani ka përfituar 2 milionë euro ndërsa vetëm 9.5 për qind e pasurisë e ka të fituar në mënyrë legale.
Këtë e ka bërë të ditur prokurorja Merita Bina-Rugova, në fjalën e saj përfundimtare, në seancën e së premtes, në rastin ku Peqani akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.
Në anën tjetër, mbrojtësit e Peqanit, Burim Osmani dhe Feim Alaj kanë kërkuar lirimin e klientit të tyre.
Fillimisht, i akuzuari Peqani është mbrojtur në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pas konsultimit mbrojtësit kam vendosur të mbrohem në heshtje”, ka thënë i njëjti.
Gjithashtu, prokurorja Bina-Rugova ka njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo kualifikimi i veprës penale është i njëjti.
E njëjta në fjalën e saj përfundimtare ndër të tjera ka thënë se është dëshmuar që i akuzuari Peqani me veprimet e tij ka injoruar ligjin.
“Konsiderojmë se gjatë këtij shqyrtimi kryesor është dëshmuar se i akuzuari Hysri Peqani të paktën nga viti 2005 e më shumë mundësi shumë më gjatë, me të gjitha veprimet e tij totalisht e ka injoruar ligjin”, tha ajo.
Prokurorja Bina-Ruova ka thënë se ai gjithashtu ka bërë reklamë si i suksesshëm në trajtimin e sëmundjeve të rënda.
Prokurorja ka thënë se sipas ekspertizës, i akuzuari Peqani ka përfituar nga 20 deri 3000 euro nga njerëzit duke arritur përfitim total 2 milionë euro ndërsa vetëm 9,5 % është fituar në formë legale
Krejt në fund, prokurorja Bina-Rugova ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
“Andaj, në tërësi mbetem pranë aktakuzës. Kërkoj që i akuzuari të shpallet fajtor për të gjitha veprat penale për të cilat akuzohet dhe gjithashtu kërkoj që të bëhet konfiskimi i përhershëm i të gjitha aseteve të konfiskuara përkohësisht, ndërsa borxhet eventuale të akuzuarit për blerjen e automjeteve të cilat janë përmendur gjatë procedurës nuk guxojnë të jenë pengesë për konfiskim dhe pagimi i këtyre borxheve nëse eksitojnë duhet të kërkojnë të dëmtuarit në një procedurë tjetër civile e jo në këtë shqyrtim”, ka thënë e njëjta.
Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Osmani ndër të tjera ka thënë se ka kushte për nxjerrjen e një aktgjykimi lirues apo refuzues.
Fjalën përfundimtare të avokatit Osmani e ka mbështetur i mbrojturi i tij, i akuzuari Peqani i cili gjatë fjalës së tij përfundimtare ka thënë se në jetën e tij nuk u bazuar asnjëherë me ligjin.
Ai ndër të tjera ka thënë se beson që gjithçka ka qenë e manipuluar nga prokuroria dhe hetuesia.
Peqani ka thënë se në Kosovë veprimtari sikur të tij kryejnë edhe persona të tjerë derisa ka përmendur se po ndiqet pse i përket një komuniteti në Kosovë.
“A veç për mua vlen ky ligj, a vetëm pse jam komunitet, kur në tërë Kosovën shkruhen hajmalia, fryhen e thonë rukje, kjo ka qenë një diskriminim racor kundër meje dhe besimtarëve të mi shahman”, ka thënë i akuzuari Peqani.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 10 janar të vitit 2023 pasi që, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala tha se i nevojitet më shumë kohë se afati ligjor prej tre ditësh për arsye se lënda është mjaft voluminoze.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.
Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.