Prokuroria kërkon dënimin e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, mbrojtja lirimin e tij
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, i cili po akuzohet për korrupsion.
Në fjalën e tij përfundimtare prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës duke u mbështetur në provat materiale të paraqitura, dëshmisë së dëshmitarëve, dëshminë e vet të akuzuarit, ku ka deklaruar se ka qenë përgjegjës për inspektimin e objektit në fjalë, i cili është objekt i aktakuzës dhe është ndërtuar pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje prokurori Sefa, tha se i akuzuari nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, që përveç inspektimit të sjellë edhe konkluzion për rrënim, duke e shkelur edhe ligjin për ndërtim.
Andaj duke u bazuar në të lartëcekurat prokurori i propozoi trupit gjykues që të njëjtin ta shpallë fajtor sipas ligjit dhe me rastin e marrjes së vendimit trupi gjykues të ketë parasysh të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, në veçanti ta ketë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprimeve që kryhen nga zyrtarët e autorizuar.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fatmir Jëlliqi, deklaroi se i mbrojturi i tij ka marrë një varg procedurash ligjore në inspektimin e atij objekti, duke lëshuar një varg vendimesh, duke përfshirë dënime mandatore, kallëzim penal etj.
Tutje avokati Jëlliqi tha se shkalla e dytë apo Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka marrë vendi që të anulojë vendimin e inspektoratit përkitazi me rrënimin e këtij objekti, dhe me rëndësi është që ky objekt tani është objekt i aktakuzës.
Avokati Jëlliqi po ashtu deklaroi se veprimet e marrura nga i akuzuari nuk është vërtetuar se janë bërë me dashje direkte apo eventuale, si dhe se prokuroria ka dështuar sepse nuk ka propozuar një ekspert financiar për të përcaktuar dëmin që i është shkaktuar Komunës, apo dobinë që ka përfituar investitori.
Në fund avokati deklaroi se nuk është provuar se klienti i tij ka kryer këtë vepër penale andaj i propozoi trupit gjykues që të jepet aktgjykim lirues.
Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 27.07.2020 në ora 13:00.
Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatëmijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /Betimipërdrejtësi