Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit të Dragashit të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tij
Në Gjykatën Themelore në Prizren, në fjalën përfundimtare, prokurori Mehdi Sefa gjatë seancës së të hënës, ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Avni Nebiu, i cili po ngarkohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij.
Nebiu po akuzohet se ka nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Sefa, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën e elaboroi në seancë, ku tha se në bazë të deklaratave të dëshmitarëve dhe ekspertizës është vërtetuar gjendja faktike se i akuzuari Nebiu ka vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.
Ai tha se Nebiu si zyrtar autorizues, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore kur për servisin “Menti” ka nënshkruar urdhër-obligimin për pagesë në shumën prej 829 euro.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që njëjtin ta shpall fajtor dhe me rastin e marrjes së dënimit të ketë parasysh të gjitha rrethanat, shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrezikimin e vlerave siç është paraja publike.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nebiu, avokati Fatmir Jëlliqi fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se i mbrojturi i tij që nga fillimi e deri në fund të shqyrtimit gjyqësor nuk e ka pranuar fajin.
Po ashtu, ai tha se Nebiu detyrën e zyrtarit aurizues e ka pasur detyrë dytësore dhe se nuk qenë pjesë e zyrës së prokurimit apo drejtor financues.
Gjithashtu, ai ka kërkuar që i mbrojturi tij të lirohet në mungesë të elementeve të veprës penale për të cilën ngarkohet.
“Ky as qëllimin nuk e ka pas as dashjen për të kryer, prandaj konsiderojmë si mbrojtje që në rastin konkret nuk ekzistojnë elmentet e veprës penale. Propozoj trupit gjykues që të mbrojturin tim ta lirojë nga kjo vepër”, ka thënë Jëlliqi.
Kurse, i akuzuari Nebiu ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe ka shtuar se aktakuza e prokurorisë nuk qëndron dhe se nuk e ka nënshkruar urdhër-obligimin për pagesë.
“Nuk kam dhanë urdhër për pagesë sepse neni 25 i rregullores edhe nenin 26 i rregullores 1/2013 saktë e precizon se kush jep urdhër për pagesë, kështu që unë nuk kam dhënë urdhërpagesë”, ka thënë Nebiu.
Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 27 tetor 2022.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.
Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.
Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.
Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2, nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi