28-03-2026

Prokuroria kërkon paraburgim për Fazli Ndrecajn, iu zunë mbi 500 kg kan*ab:s dhe armë të rënda

news image

I dyshuari, F.N., 46 vjeç nga fshati Maqitevë, Komuna e Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Sipas prokurorisë, më 16.09.2025, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është zhvilluar një aksion në një objekt (shtallë) në Maqitevë, ku është zbuluar dhe sekuestruar mbi 512 kilogramë marihuanë – kanabis sativa – në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.

Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithashtu: një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë të pushkës, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë dhe prova të tjera materiale.

Prokuroria ka lëshuar urdhër të përkohshëm për sekuestrimin/ngrirjen e dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.

“F.N., në një periudhë të pacaktuar kohore dhe deri më datë 16.09.2025, në pjesën malore të fshatit Maqitevë, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje të narkotikëve dhe shpërndarjen e kësaj substance në treg”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me këto veprime, i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” (neni 272), “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” (neni 267), si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Asnjë koment

Comments are closed.