06-08-2025

Prokuroria kërkon paraburgim për katër të arrestuarit për “detyrim”

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të arrestuar, të dyshuar për veprat penale detyrim, armëmbajtje pa leje dhe ikje nga tatimi.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, aktualisht zyrtar policor, Nexhmi Krasniqi. Aksioni është zhvilluar nga Prokuroria në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ndërsa një ditë pas arrestimeve ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar largimin nga Policia të gjithë atyre që njollosin uniformën policore.

Sipas masës që ka kërkuar Prokuroria, të cilën e ka siguruar Gazeta Sinjali, katër të arrestuarit – Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi – dyshohen se, si pjesë e një grupi, kanë përdorur kanosjen për ta detyruar një person të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Hetimet tregojnë se i dëmtuari E.M. ishte i detyruar të tërhiqej nga një pronë për të cilën kishte autorizim, në dobi të Ramadan Paçarizit. Ky i fundit më pas e ka blerë pronën për 250 mijë euro, shumë kjo dukshëm më e ulët se vlera reale e tregut, e cila sipas Prokurorisë arrinte deri në 500 mijë euro.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve nëntor-dhjetor 2024, kur të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore, përmes kërcënimeve serioze dhe presionit.

Prokuroria thotë se i dëmtuari, i cili ishte bashkëpronar i ngastrës kadastrale nr. 749 në zonën kadastrale Lubizhdë, ka pasur autorizim gjeneral për shitjen e parcelës nga pronarët Svetozar Nekiq, Stanimir Nekiq dhe Zvonomir Nekiq.

Fillimisht, sipas aktit, Liman Sallauka kishte kontaktuar të dëmtuarin, ndërsa më pas në proces është përfshirë edhe vëllai i tij, Xhevat Sallauka, i cili ka kërkuar takim me E.M. Takimi është mbajtur në një pompë derivatesh në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren, ku kanë marrë pjesë Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi, dëshmitari E.E. dhe i dëmtuari E.M.

Gjatë këtij takimi, të pandehurit dyshohet se i kanë bërë presion të dëmtuarit për ta detyruar të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749 në favor të Ramadan Paçarizit. Përballë presionit dhe kërcënimeve, i dëmtuari pranon të tërhiqet, me miratimin e dëshmitarit E.E., i cili gjithashtu kishte pronësi në parcelë.

Më pas, Paçarizi ka blerë pronën për 250 mijë euro, edhe pse vlera e saj ishte shumë më e lartë. Sipas Prokurorisë, nga kjo marrëveshje, i dëmtuari i ka dhënë 10 mijë euro Nexhmi Krasniqit dhe 20 mijë euro Liman Sallaukës.

Aktualisht, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për katër të arrestuarit, ndërsa Gjykata pritet të vendosë për kërkesën në orët e ardhshme.


 

Asnjë koment

Comments are closed.