25-11-2024

Prokuroria pretendon se i dyshuari mori armën e Astrit Ademajt dhe shtiu në drejtim të Blerand Kadrijajt

Prokuroria Themelore në Pejë pretendon se i dyshuari Avni Ademaj kishte marrë armën e tani të ndjerit Astrit Ademaj, me të cilën pastaj kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Blerand Kadrijaj.

Kjo thuhet se ka ndodhur mbrëmjen e 8 shtatorit, ku mbetën të vrarë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit më 2017 nga radhët e PDK-së, Blerand Kadrijaj.  Kurse, i arrestuari Avni Ademaj kishte mbetur i plagosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hetimet fillestare të Prokurorisë së Pejës vënë në pah se incidenti tragjik në qytetin e Pejës ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje mes tani dy të ndjerëve.

Sipas aktvendimit për fillim të hetimeve, të siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi”, prokuroria ka mbledhur prova se viktimat ishin takuar së bashku në lokal, ku gjatë bisedës kishin nxjerrë armët dhe kishin futur fishekët në tytë.

“Pasi viktimat ishin takuar së bashku, prezent kishin qenë edhe i pandehuri Avni dhe dëshmitari NN, gjatë bisedës në mes të dy viktimave, fillon të acarohet situata, ashtu që të dy viktimat përnjëherë i nxjerrin armët, i fusin fishekët në tytë dhe prapë vazhdojnë të fjalosen”, thuhet në aktvendim.

Aty thuhet se i pandehuri Avni Ademaj ia kishte marrë armën tani të ndjerit Astrit Ademaj dhe kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Blerand Kadrijaj.

“Për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin, i pandehuri Avni ia merr armën viktimës Astrit dhe më të njëjtën fillon të gjuaj në drejtim të ndjerit Blerand, i cili poashtu në të njëjtën kohë shtënë edhe ky në drejtim të viktimës Astrit dhe të pandehurit Avni. Si pasojë e këtyre goditjeve të pandehurit Avni është privuar nga jeta viktima Blerand i cili ka mbetur i vrarë në vend të ngjarjes, kurse viktima Astrit ka mbetur i vdekur nga të shtënat e të ndjerit Blerand, e poashtu edhe i pandehuri Avni ka marrë lëndime në shuplakën e dorës së majtë”, thuhet në aktvendimin e prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”

Për shqyrtimin e kësaj kërkese, të premten është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë, pa prezencë të publikut. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.