15-08-2025

Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë ndaj 21 personave për dëbimin e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar sot se ka dorëzuar aktakuzë në lidhje me krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës janar–qershor 1999, në kohën e luftës në Kosovë.


Aktakuzën e ka prezantuar prokurori special Atdhe Dema, Prokurorisë, gjatë një konference për media, ku tha se hetimet për këtë rast kanë zgjatur me vite.

“Pas vite hetimesh intensive, Departamenti Special i Prokurorisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dorëzuar sot një aktakuzë lidhur me krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në periudhën janar–qershor 1999,” tha prokurori Dema.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, të pandehurit kanë pasur kontroll mbi forcat e armatosura, përfshirë Ushtrinë e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë, të cilat dyshohet se kanë kryer veprime të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare.


Këto përfshijnë shkatërrim sistematik të pronës civile, djegie të shtëpive, sulme ndaj civilëve, si dhe ndalime dhe persekutime për arsye etnike.

Aktakuza thekson se si pasojë e kësaj fushate të gjerë është shkaktuar zhvendosja e dhunshme e 863 mijë shqiptarëve, të cilët u dëbuan nga Kosova drejt shteteve fqinje.

Asnjë koment

Comments are closed.