02-08-2025

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se aktakuza ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


Pas reagimeve të opinionit publik për këtë kërcënim, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të ngjashme, duke theksuar:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., sipas aktakuzës, e ka kanosur me vrasje kryeministrin në detyrë përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, “duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.”.

Asnjë koment

Comments are closed.