Prokuroria thotë se ‘Burdushi’ e krijoi pasurinë me paratë e fituara kundërligjshëm
Hysri Peqani i njohur si ‘Burdushi’, është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit.
Ai akuzohet se që nga viti 2005, kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedonte aftësi mbinatyrore i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.
Sot para gjykatës së Prishtinës, janë administruar provat që mbrojtja e të akuzuarit i ka propozuar me parashtresë para gjykatës.
Po ashtu prokuroria paraqiti pretendimet e saj në lidhje me ato prova.
“Nuk ka asnjë provë relevante e cila mund të ndikojë në ndryshimin e gjendjes faktike që është vërtetuar deri tani” – tha prokurorja e rastit Merita Bina Rugova.
“Përndryshe ekziston një fakt që e kam përsëritur disa herë gjatë këtij gjykimi, se të gjitha pronat duke përfshirë edhe lokalet i akuzuari i ka blerë me paratë e fituara në mënyrë të kundërligjshme me veprimet e përshkruara në diapozitivin e aktakuzës dhe blerja e këtyre pronave paraqet fazën e fundit të shpëlarjes së parave” – tha prokurorja e rastit.
Tutje, trupi gjykues konsideron se janë të gatshëm të dëgjojnë të akuzuarin duke dhënë mbrojtjen e tij për akuzat që e rëndojnë, mirëpo njëri nga avokatët që e mbron tha se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Kështu, trupi gjykues vlerësoi që në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje sa më efektive të shtyhet gjykimi për një seancë tjetër.
‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.
Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.
Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.
Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.
Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.
Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme./KALLXO,com