Prokurorja thotë se njërit nga të ndaluarit iu kërkua të pranonte që kishte vrarë 100 shqiptarë dhe kishte përdhunuar gra
(Përditësuar, ora 11:50)Njëra nga prokuroret e rastit të Pjetër Shalës, ka deklaruar se njërit nga të ndaluarit, që është dëshmitar, iu kërkua të pranonte që kishte vrarë 100 shqiptarë, që kishte përdhunuar gra dhe ju kërkua të këndonte një këngë serbe.
Ajo tha se të ndaluarit ishin shqiptarë, disa prej tyre me etni rome, të cilët nuk morën pjesë në luftime, ku disa edhe kishin mbështetur UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për dëshmitari 04733, tha se shkonin te shtëpia e tij, duke u munduar të rrëmbenin atë dhe në mes të majit 1999, policia e UÇK-së arriti të bënte këtë dhe e mbajtën 3 ditë e më pas dorëzuan te i akuzuari së bashku me ushtarë të tjerë të UÇK-së për ta transferuar në Kukës.
Sipas prokurores, e dërguan në fabrikë në mbrëmje vonë me 20 maj 1999 ose rreth kësaj date, ku u dërgua në ndërtesën e komandës.
“Atë e vendosën në një qeli të improvizuar, të ngushtë dhe pa dritë natyrale. Ai aty u takua me dëshmitarin 01488, i cili kishte ditë që mbahej në të njëjtin qeli në Kukës. Natën e mbërritjes të 04733 në Fabrikën e Metalit atje, ishte nata ku ndodhën rrahje brutale në ndërtesën e komandës dhe janë raportuar nga viktimat në këtë çështje”, tha ajo.
Sipas saj, menjëherë pasi u dërgua në qelinë e tij, u dërgua në një tjetër dhomë në ndërtesën e komandës, ku u takua nga një grup ushtarësh të UÇK-së përfshirë këtu të akuzuarin, iu kërkua të pranonte që kishte vrarë 100 shqiptarë, që kishte përdhunuar gra dhe ju kërkua të këndonte një këngë serbe.
Tutje, u tha se më pas vijuan ta rrahin me shufra, shkop bejsbolli, shufra prej gome, shufra tjera dhe një pjesën e pasme të revolverit.
Ai tha se e dogjën me cigare, i hodhën në plagë kripë dhe i thyen dhëmbët, rrahën në mënyrë brutale derisa humbi ndërgjegjen, derisa kur mori ndjenjat ishte i lagur nga uji, ndërkohë që e rrahura vazhdoi.
“Edhe të ndaluar të tjerë filluan të silleshin në dhomë, ku dy prej dëshmitarëve e gjetën 4377 të mbuluar me gjak dhe kanë parë me sytë e tij rrahjet që vazhdonin, nga i akuzuari dhe bashkëpunëtorët e tij”, u tha nga prokurorja, ku u tha se njërit nga të ndaluarve iu kërkua të rrihte këtë viktimë dhe kur nuk pranoi ta bënte, e rrahën atë shumë ashpër.
Sipas prokurorisë, pasi mbaruan me të rrahurën e 4377, e tërhoqën zvarrë pasi nuk mund të ecte e se në korridor vazhduan keqtrajtimet.
“Ndërkohë që po largohej, rrahja e të tjerëve, përfshirë dëshmitarin e gjykimit dhe viktimës së vrasjes vazhduan paralelisht”, tha ajo, ku u tha se i akuzonin se kishin lidhje personale ose profesionale me individë serbe ose institucione serbe, ku rrahjet zgjatën deri të nesërmen në mëngjes.
Prokuroria tha se ndërtesa e ndalimit kishte tre dhoma, ku dy përdoreshin për mbajtjen të ndaluarve.
Sipas saj, dhoma ruhej me armë nga ushtarët e UÇK-së dhe të ndaluarit nuk mund të largoheshin nga dhoma, me përjashtimin e 4 prej tyre, të cilët u detyruan të bënin punë me forcë dhe të pastronin tualetet e pista e ngarkonin e shkarkonin kamionët që vinin për UÇK-në në fabrikë.
Sipas saj, gjatë rrugës për tualet, ngacmoheshin nga ushtarët e UÇK-së, kur njëri u përpoq ta godiste me thikë njërin nga të ndaluarit.
“Dhoma e ndalimit nuk kishte orendi, nuk kishte as krevat e as dyshek, të ndaluarit mundoheshin të flinin të shtrirë në mur ose në dysheme me rërë. Ata merrnin ujë për të pirë, ushqimi ishte i pakët dhe nuk morën kujdes të përshtatshëm mjekësor ose nuk morën fare kujdes mjekësor”, tha prokurorja.
Sipas saj, disa viktima u lanë me një anë dhe iu nënshtruan lëndimeve të rënda.
“I akuzuari personalisht ka marrë pjesë në keqtrajtimin e një dëshmitari në të paktën 10 raste të veçanta, gjatë njërit prej tyre dëshmitari i gjykimit 401 ju tha që të vishte një jelek kundër plumbi dhe u qëllua në drejtim të tij duke e lënë 401 me traumë, me dhimbje dhe me vështirësi në marrje në frymë. Një i burgosur nuk mbijetoi, nuk i mbijetoi ndalimit dhe torturës që pësoi në Kukës”, tha ajo.
Tutje, u tha se me 4 qershor 1999, viktima e vrasjes dhe dëshmitari 401 u morën nga dhoma ku mbaheshin, u rrahën në mënyrë kafshërore dhe qëlluan nga një anëtar i UÇK-së, ku viktima e vrasjes u qëllua në këmbë dhe ju dha vetëm kujdes bazë mjekësor, ku personeli i UÇK-së refuzoi ta dërgonte në spital dhe në vend të kësaj vazhduan të përçmonin dhe kërcënonin atë.
Sipas prokurorisë, për rrjedhojë viktima vdiq për shkak të këtyre keqtrajtimeve ose me 5 qershor 1999 ose rreth kësaj date.
“Gjatë këtij gjykimi do të prezantoheni me deklaratat e personave që kanë mbijetuar nga ndalimi i tyre në fabrikën e metalit në Kukës”, tha ajo, ku tha se ata u liruan për shkak të lidhjeve personale ose janë liruar nga KFOR-i gjerman në shtator 1999”, tha tutje ajo
Derisa tha se dëshmitari 4733 u lirua për shkak të interferimit të agjencisë së inteligjencës shqiptare, ku tha se familja e tij nuk e ka njohur të njëjtin pasi u lirua, dhe se kishte plagë që i kishin ngelur nga keqtrajtimi, ishte i palarë, i mbuluar me gjurmë gjaku dhe kishte humbur shumë peshë, që ka pësuar lëndime fizike dhe psikologjike, të cilat vazhdojnë për gjithë jetën e tij.
“Anëtarët e familjes përshkruajnë se si një herë dëshmitari 4733 u kthye tek ta dhe se si kanë parë me sytë e tyre shenjat e keqtrajtimit që kishte pësuar dhe dëgjuar në mënyrë të drejtpërdrejt nga dëshmitari makthin që u ka ndodhur dhe do të dëshmojnë lidhur me efektet e ndalimit të tij në Kukës dhe barrën që i ishte shkaktuar të gjithë familjes”, tha prokurorja.
Po ashtu u tha se një pjesë e dëshmive të dëshmitarëve janë dhënë nga dëshmitarë që nuk mund të deklarojnë në gjykatë ose pasi kanë vdekur ose pasi nuk janë në gjendje të përshtatshme të deklarohen në gjykatë. Por, u tha se të njëjtat mbështeten nga dëshmitarët që do të vijnë në sallën e gjyqit.
Prokurori Filipo Deminiqes, tutje tha se provat do të tregojnë se i akuzuari është përgjegjës për veprat penale, për të cilat akuzohet, personalisht, dhe se po ashtu si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, si ndihmues e po ashtu inkurajues.
Sipas prokurorit, i akuzuari kishte nofkën “Ujku” dhe se kur ishte në veprim bënte tinguj si të ujkut.
Prokuroria tregon fotografi të ndërtesës ku pretendon se u rrahën viktimat dhe u vra njëri nga ta
(Përditësuar, ora 11:30)Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, prokuroria për të pranishmit në sallë, ka treguar fotografi të ndërtesës ku pretendon se u rrahën viktimat dhe u vra njëri nga ta
Fillimisht, njëra nga prokuroret ka shpjeguar pozitën gjeografike të Kukësit dhe ka thënë se fabrika e Metalit në Kukës, që pretendohet se është vend i krimit gjendet në periferi, 1 km larg qendrës dhe për këtë paraqiti një hartë.
Prokuroria vijoi me sqarimin se si dukej fabrika në fjalë dhe si ishte struktura e së njëjtës.
Sipas prokurorisë, kjo fabrikë ka qenë një herë pronë shtetërore e Shqipërisë, e më vonë është privatizuar nga një person, ku të njëjtit iu kërkua të shfrytëzonte këtë fabrikë nga një ushtar UÇK-së, ku ai ishte pajtuar me këtë.
Sipas prokurorisë, UÇK ka shfrytëzuar këtë fabrikë për 3 muaj dhe është shfrytëzuar gjatë konfliktit të armatosur dhe lidhur me këtë konflikt gjatë periudhës së aktakuzës.
Tutje, u tha se disa refugjatë të Kosovës kanë përfunduar në fabrikën e metalit në Kukës, që atë kohë kontrollohej nga UÇK dhe është shfrytëzuar si bazë për rekrutimin, mobilizimin dhe për çështje logjistike, ku rekrutët e UÇK-së kanë marrë arma e uniforma aty dhe më pas janë dërguar për tu stërvitur para se të shkonin në frontin e luftës.
Prokuroria pretendon se kjo fabrikë është shfrytëzuar edhe për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtuar individë që konsideroheshin që ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë dhe se individët që janë burgosur kanë arritur në mënyra të ndryshme dhe për arsye të ndryshme.
“Disa arritën në mënyrë vullnetare, të tjerët janë dërguar më forcë. P.sh dëshmitari 401, shkoi në Shqipëri në maj të vitit 1999, me të arritur në Kukës, shkoi te fabrika e metalit në Kukës. Një fat i tmerrshëm e ka pritur atë, siç do të tregohet me forma, dëshmitari 401 i ishte nënshtruar keqtrajtimit, torturës dhe rrahjeve për shkak se dyshohej se ishte spiun”, ka thënë prokuroria.
Tutje, u tha se dëshmitari 411, u largua Kosova, së bashku me familjen e tij për shkak të sulmeve të forcave serbe dhe u vendos në një kamp refugjatësh në Kukës, por një muaj më vonë në maj 1999, dëshmitari u takua me dy anëtarë të UÇK-së që i thanë të marrin deklaratë nga ai, ku e kanë marrë dhe dërguar në fabrikë ku e kanë mbajtur të ndaluar për 1 muaj.
“Të gjitha individët ishin civilë që nuk kanë marrë pjesë në luftime të armatosura. Kryesit ishin të gjitha anëtarë të UÇK-së, përfshirë Pjetër Shalën”.
Për një ndërtesë, fotografia e së cilës u tregua për të pranishmit në sallë, u tha se aty është vendi ku kanë ndodhur rrahje të tmerrshme, dhe ku janë keqtrajtuar viktima, përfshirë atë që është vrarë.
Në vijim, prokuroria tregoi edhe pamje nga brenda fabrikës së metalit, ku tha se shihet në nga depot që ndodhet në anën tjetër të oborrit. Sipas saj, në vazhdimësi, shihet një ndërtesë e vogël qe del brenda territorit të oborrit.
“Shikojmë pjesën me tulla, që mbetet ende në këmbë dhe korrespondon me pjesën e fundit të ndërtesës si ka ekzistuar në kohën e atëhershme”, tha ajo, derisa shtoi se do të dëshmohet se viktimat janë mbajtur në këtë ndërtesë në kushte të rënda dhe i janë nënshtruar torturës dhe keqtrajtimit dhe është ndërtesa ku viktima e vrasjes së paligjshme është sulmuar në mënyrë brutale, rrahur dhe vrarë”, ka thënë prokuroria.
Prokuroria thotë se Shala ishte pjesë e grupit me Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin dhe se mori pjesë në vrasjen e një personi
(Përditësuar, ora 11:20)Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka thënë se Pjetër Shala ishte pjesë e grupit me Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin dhe se mori pjesë në vrasjen e një personi.
Whiting tha se çështja gjyqësore kundër Shalës, në fakt është shumë e thjeshtë, edhe pse ka ndryshuar në mënyrë tragjike jetën e shumë njerëzve dhe i ka dhënë fund jetës së në personi.
Sipas tij, dëshmitë do të tregojnë se në pranverën e 1999 në Kukës në Shqipëri, i akuzuari ka kryer krimet që janë në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”
Ai tha se dëshmitë do të tregojnë se ishte pjesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK që kanë kryer këto krime. Sipas tij, ky grup përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqit, të dy të shpallur fajtor në dy gjyqe në Kosove për krimin e ndalimit arbitrar dhe keqtrajtimin e zhvilluar në fabrikën e Metalit në Kukës.
Sipas tij, aktakuza tregon se janë ndaluar dhe keqtrajtuar të paktën 18 viktima në këtë fabrikë.
“Ky grup kriminal përfshirë të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave natën mes 4 apo 5 qershorit të 1999, apo afërsisht në atë kohë. Viktimat e kësaj çështje janë shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët. Janë trajtuar si spiunë dhe bashkëpunëtorë që kanë merituar dënimin e poshtërimin. Janë ndaluar pa asnjë proces të ligjshëm”, tha ai.
Tutje, tha se ka marrë pjesë në arrestimin e të paktën një personi dhe transferimin në këtë pikë të ndalimit dhe ka kontribuar në mbajtjen e e kushteve çnjerëzore.
Sipas tij, i akuzuari mori pjesë në rrahje, rrahje me shufra e objekte të mprehta, ku si rezultat i rrahjeve, viktimat janë mbuluar me gjak. Ai tha se viktimat nuk kanë qenë në gjendje të ecin në këmbë.
Ai tha se Shala ka marrë pjesë në grupin, ku e rrahën njërin nga viktimat, i cili është vrarë, duke e rrahur vazhdueshëm e më pas qëlluar me armë në këmbë, ku i njëjti më pas ka pësuar hemorragji.
Në deklaratën e tij hyrëse, Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka deklaruar se është privilegj të flas para trupit gjykues në fillim të këtij gjykimi.
Ai tha tani janë një institucion që funksionon në mënyrë të plotë, me baza të thella dhe i provuar, institucion që ka provuar se mund të arrij rezultate se mund të gjykoj çështje gjyqësore brenda mandatit të saj, në mënyrë të drejtë dhe efektshme dhe shpesh në situata që janë sfiduese dhe të jashtëzakonshëm.
Sipas tij, meritën për këtë arritje janë shtetet që kanë krijuar këtë gjykatë dhe vazhdojnë të mbështesin atë dhe punonjësit e dedikuar të ZPS, të DhSK-së, zyrës administrative, zyrës së Kryetares, përfaqësuesit të viktimave dhe palës mbrojtjes.
“Mbi të gjitha meritën e kanë ata në Kosovë që kanë mbështetur punën e kësaj gjykate dhe në mënyrë të veçantë viktimat e dëshmitarë”, tha ai, duke shtuar se ata kanë treguar guxim të jashtëzakonshme që kanë ardhur në atë karrige dhe kanë dëshmuar.
Ai tha se klima e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë është reale, e gjithanshme dhe në vazhdim e sipër.
“Zyra jonë dhe ky institucion herë pas herë kanë marrë veprime për t’iu kundërvënë kësaj klime, duke mbrojtur dëshmitarët dhe duke marrë masa ndaj çdokujt që ka kërkuar të minojë këtë institucion apo frikësoj dëshmitarët”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojnë të bëjnë këtë në mënyrë që dëshmitarët të vinë në gjykatë dhe japin dëshminë e tyre në mënyrë të sigurt”, tha Whiting.
Tutje, tha se kjo klimë do të peshojë mbi dëshmitarët që do të vinë në këtë sallë gjyqi për të dhënë dëshminë e tyre.
“Është klima, në të cilën ata dhe familjet e tyre jetojnë në çdo ditë të jetës. Është realitet në të cilin ata duhet të kthehen menjëherë”, tha ai në vijim.
Sipas tij, ata do të kërkojnë gjithmonë nga gjykata të mos harrojnë rrethanat, në të cilat po jepin dëshmitë e tyre ata, klimën e frikësimit dhe kërcënimit dhe efektin që mund të ketë këtë klimë.
“Suksesi i këtij institucioni përbën sukses edhe për Kosovën. Kundërshtarët e kësaj gjykate në mënyrë të vazhdueshme kanë pretenduar se ajo është kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së. Asgjë nuk është e vërtetë. Është gjykatë e Kosovës e ndërtuar nga Kuvendi i Kosovës me mbështetje dhe bashkëpunim ndërkombëtar, gjykatë që është brenda kornizës ligjore të Kosovës”, ka thënë Whiting.
Ai tha se çështjet gjyqësore nuk janë kundër Kosovës e UÇK-së, por individëve që pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës.
Sipas tij, në çështjet e tjera, përfshirë këtë, shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës, e në disa të gjitha dëshmitarët janë viktima shqiptarë.
Ai tha se janë të bindur se provat që kanë paraqitur vërtetojnë se Shala mban përgjegjësi.
Shala: E kuptoj aktakuzën, por nuk pranoj asgjë pasi të gjitha janë shpifje dhe trillime
(Përditësuar, ora 10:50)Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Filipo Deminiqes, Pjetër Shala deklaroi se e kupton natyrën e akuzave, por se nuk pranon asgjë pasi të sipas tij, gjitha janë shpifje dhe trillime.
Ai sërish konfirmoi deklarimin e tij para gjykatësit paraprak, ku kishte deklaruar se është i pafajshëm.
Më pas, i njëjti u informua me të drejtat që i gëzon në gjykatë në zbatim me kornizën ligjore.
Kryetarja e trupit gjykues thotë se prokuroria e mbrojtja e viktimave në deklaratë hyrëse mund t’u referohen deklaratave të mëparshme të Shalës
(Përditësuar, ora 10:40)Para se të fillohet me deklaratat hyrëse, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia ka bërë të ditur se prokuroria e mbrojtja e viktimave mund t’u referohen deklaratave të Pjetër Shalës të dhëna për ish-Tribunalin e Hagës dhe autoritetet belge.
Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, tha se mbrojtja ka paraqitur kundërshtime sa i takon referencave që ka paraqitur ZPS dhe mbrojtja e viktimave për deklaratat e mëhershme që ka dhënë i akuzuari në ish- Tribunalin e Hagës në vitin 2005 dhe 2007 dhe deklarata dhënë policisë belge në vitin 2016 dhe 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, mbrojtja argumenton se po shqyrtohet nga apeli pranueshmëria e tyre dhe se deklaratat janë marrë në shkelje me të drejtat e të akuzuarve.
“Trupi gjykues rikujton që në dhjetor nxjerri vendim lidhur me deklaratat dhe vendosi që materialet që lidhen me intervistat e TPNJ-së janë pranuar se prova dhe ato që lidhen me autoritet belge nuk janë të papranueshme dhe mund të shqyrtohen nga trupi gjykues. Trupi gjykues rikujton se me 24 janar 2023 i miratoi lejen mbrojtjes për të apeluar vendimin për tre pika, mbrojtja paraqiti apelin me 13 shkurt të këtij viti. Trupi gjykues po ashtu rikujton se në bazë të rregullës 171 të rregullores, apelet e ndërmjetme nuk kanë efekt pezullues përveç nëse urdhërohet ndryshe dhe mbrojtja nuk bëri kërkesë të tillë”, ka thënë ajo.
Trupi gjykues konstatoi se prokuroria e mbrojtja e të viktimave mund tu referohen të njëjtave gjatë fjalës hyrëse. Por, ajo tha se duhet pasur parasysh se çështja e pranueshmërisë së tyre ende po shqyrtohen nga apeli.
Gjykimi po vazhdon me leximin e aktakuzës nga ana e prokurorit.
Fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë
Të martën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, ka filluar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.