Provimi i Maturës Shtetërore mbahet nesër – MAShTI del me njoftim për maturantët
Nesër, më 21 qershor 2025, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore në të gjitha komunat e vendit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), duke njoftuar se në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga i gjithë vendi.
MAShTI ka siguruar se janë ndërmarrë të gjitha masat për një proces të qetë dhe korrekt, përfshirë angazhimin e trupave mbikëqyrës, ekspertëve të IT-së dhe ekipeve lëvizëse, që do të monitorojnë vazhdimisht rrjedhën e testimit.

Gjithashtu, MAShTI ka bërë të ditur se hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00, dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar deri në përfundimin e testit.
“Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore,” thuhet në njoftim në Facebook.
Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025, ndërsa MAShTI ka uruar të gjithë maturantët për sukses në këtë fazë të rëndësishme të të arsimit.