Fotografia e dy grave që dyshohet se vodhën një telefon në një lokal në Prizren bëri xhiro në rrjete sociale për disa ditë rresht, pas publikimit në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, ku lutej për identifikimin e tyre.
Postime të tilla ku kërkohen persona për vepra “të lehta” penale ka me bollëk nga ky institucion, e madje edhe për të atilla që mbetën vetëm në tentativë.
Një gjë e tillë po thuhet se nuk është aspak etike.
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, tha se publikimi i fotografive nuk duhet të ndodhë pa dhënë verdiktin final gjykata, ngase derisa lënda nuk shkon në gjykatë, personat janë vetëm të dyshuar.
Ai tha se kështu si në Kosovë duket se nuk veprojnë institucionet e sigurisë në vende tjera të rajonit. Kjo meqë publikimi i një fotografie të kryerësit të veprës ende pa u shpallur fajtor lë pasoja tek këta persona ngase mbetet në arkivat elektronike.
Ndonëse me të mund të mos pajtohen ekspertët e sigurisë, policia në postime të tilla thotë se mbështetet në ligjin për publikimin e fotove me shënime tjera të personave të kërkuar.