25-11-2024

Publikohen pamjet e rënda, i dyshuari Gjokaj u rrah brutalisht nga dy vëllezërit Islamaj para se t’i vriste

E diela ishte tragjike për familjen Islamaj në Gjakovë. Dy vëllezërit, Blerimi dhe Haxhiu, u qëlluan me armë zjarri dhe për pasojë mbeten të vdekur. Tragjedisë dyshohet se i ka paraprirë një konflikt i gjatë që lidhet me pronën, e që eskaloi ditën e djeshme dhe përfundoi me fatalitet. Disa orë pas vrasjes së dyfishtë, Policia arriti ta arrestojë të dyshuarin, i cili u gjet i rrahur dhe i plagosur. Rrethanat në të cilat ndodhi rasti janë akoma të dyshimta, por Sinjali ka raportuar për të gjitha detajet të cilat i publikoi ekskluzivisht.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 20:00, kur pas një përleshje fizike dhe të shtënave me armë, Policia gjeti dy vëllezërit e vdekur, në fshatin Madanaj. Vdekja e njërit prej tyre u konstatua në vendin e ngjarjes, ndërkaq tjetri u dërgua në spital, por pa shenja jete.

Sipas informacioneve të para, që pritet të konfirmohen gjatë hetimeve, vrasja e dyfishtë e dy vëllezërve dyshohet të jetë kryer në vetëmbrojtje. Krejt kjo, pasi Gjokaj u gjet i rrahur rëndë dhe i plagosur me armë zjarri.

Sinjali raportoi se të dyshuar për rrahjen dhe plagosjen e tij janë tani të ndjerët, vëllezërit Blerim dhe Haxhi Islamaj.

Së fundmi janë publikuar pamje nga ku shihet rrahja brutale që Gjokaj pretendohet se pësoi nga përleshja me dy viktimat.

Policia ka kryer të gjitha ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ndërkohë që i dyshuari, posa është identifikuar, ku fillimisht ishte kontaktuar përmes telefonit, e ndaj të cilit është bërë kërkesë për dorëzim. Por kërkesa e Policisë, pasoi po ashtu me kërkesë nga vet i dyshuari.

Nga informatat e mbledhura deri më tani, burimet thonë se i dyshuari, Gjergj Gjokaj, në këmbim për t’u dorëzuar, ka kushtëzuar Policinë për ta dërguar te mjeku për trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kishte pësuar pasi u sulmua nga dy vëllezërit.

Ndryshe, sipas informatave të mbledhura nga organet e rendit, të gjitha mundësitë çonin se i dyshuari ishte Gjon Gjokaj, por megjithatë rezultatet e hetimit do ta vërtetojnë përfshirjen apo jo të tij.

Gjokaj ka telefonuar Gazetën Sinjali pas publikimit të lajmit, duke mohuar të ketë lidhje me vrasjen. Përmes linjës direkte, megjithatë Gjokaj pohoi se me vëllezërit e ndjerë Islamaj, në të kaluarën kishte kontekst pronësor, mirëpo thotë se nuk ka lidhje me vrasjen e tyre.

“Jo, s’kemi lidhje me rastin se unë jam në Zvicër. Une kom pasë kontekst pronësor me ta. Qysh e mora une lajmin, ata rojat…personat e përfshirë aty ma kanë përmend emrin. Unë jom në Zvicër, s’muj me të thonë kurgjo. Nuk kom lidhje me këtë vrasje”, u shpreh Gjokaj për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.