Publikohet videoklipi kushtuar atdhetarit Hajdar S. Morina – një histori për qëndresën dhe sakrificën në Has
Është publikuar tashmë videoklipi dedikuar jetës dhe veprës së atdhetarit Hajdar (Selim) Morina nga Hasi, një figurë qëndrese në një nga periudhat më të errëta për popullin shqiptar në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Ky projekt muzikor vjen si një dëshmi artistike dhe historike për sakrificat e familjes Morina nga Kushnini, që për dekada u përball me burgosje, tortura e persekutime nga regjimi serbo-sllav, vetëm pse mbrojti të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e vet. Mes tyre edhe një grua e familjes mbajti burg politik, një akt që flet për përmasat e qëndresës së tyre.
Në vitin 1946, në tubimin gjithëpopullor në Rogovë të Hasit, Hajdar Morina mbajti një fjalim historik kundër rikolonizimit të rajonit me kolonë serbo-malazez. Bashkimi i popullit, pa dallim feje, ndikoi për dështimin e planit qëllimkeq. Ky moment mbeti si simbol i unitetit dhe guximit shqiptar.
Tubimi ishte një lloj “referendumi” ku pushteti i asaj kohe, po testonte banorët rreth nismës për kthimin e kolonëve serbo-malazez, të dëbuar më parë. Në tubim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë krahinor nga Prizreni – atëkohë kryeqytet i Kosovës, të cilët vëzhgonin situatën. Patriotët nga Hasi, mes të cilëve edhe Hajdari, me guxim dhe mençuri, demaskuan planet e pushtetit dhe shmangën rikolonizimin.
Interpretuar nga rapsodët Përparim Brati e Avni Metalia, kënga sadopak sjell në kujtesë një histori të dhimbshme, me emocion dhe me krenari./ GeP /