Punëtorët shëndetësorë, arsimtarët e policët flasin për kolaps të shtetit nëse pagat e dhjetorit s’dalin me rritje
Rreth 60 mijë punonjës shtetërorë, mjekë, policë e mësimdhënës, presin që pagat e dhjetorit t’i marrin me rritje, ashtu siç është planifikuar me Ligjin për Paga.
Por një gjë e tillë mund të mos ndodh, nëse ky Ligj përfundon në Kushtetuese, ashtu sikurse Ligji për Zyrtarët Publikë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se janë koordinuar me SBAShK-un dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që të këmbëngulin në implementimin e Ligjit për Paga. Ai thotë se më shumë se 60 mijë punëtorë të këtyre tri institucioneve presin që më 24 dhjetor të marrin pagat me rritje.
“Të gjithë punëtorët presin datën 24 që t’i marrin pagat me rritje dhe neve si tri sindikata bashkërisht kemi shkuar ta shprehim brengën te Avokati i Popullit, por edhe argumentet që ky Ligj nuk ka të bëjë me diskimin dhe nuk guxon me shkua në Kushtetuese. Të paktën edhe juridikisht ata duhet ta shikojnë. Ligji për Zyrtarët Publik ka hyrë në fuqi në shtator dhe ankesa është bërë në nëntor, ndërsa Ligji për Paga do të fillon me datën 1 dhjetor dhe fjalët janë që me datën 2 do ta dërgojnë në Kushtetuese. Kjo tregon diçka tjetër është ka luhet diçka këtu, por jo ligjshmëria e këtij Ligji”, thotë ai.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh për çfarëdo arsye, Syla thotë se shteti do të jetë në një kolaps të vërtetë.
“Çfarë do të jenë reagimet, janë të paparashikuara dhe nuk kisha dashur të shkojmë deri në atë fazë, sepse këtu bëhet fjalë për mbi 60 mijë punëtorë që atakohen, por edhe ma shumë, por unë po flas në emër të tri sindikatave e që janë shtylla e shtetit dhe mund të vijë deri të një kolaps i shtetit të paraparë deri më tani. Sepse ata 9 muaj kanë prit, dy vjet kemi punuar në këtë ligj bashkërisht dhe kam qenë protagonist kryesor dhe tash në muaj e fundit të vjen dikush që i ka ra ndër mend që se ka koeficientin kjo nuk është argument”, thotë ai.
Kryesindikalisti i shëndetësisë kosovare thotë se moszbatimi i Ligjit për Paga do të ketë ndikim negativ edhe në marrëdhëniet e jashtme, pasi që në raportin e progresit miratimi i tij u përmend si një e arritur.
“Ne jemi mburr me aprovimin e këtyre tri ligjeve dhe për këtë edhe në raportin e progresit për sivjet cilësohet si e arritur e Kosovës dhe tash të del dikush që në emër të Avokatit të Popullit këto tri ligje t’i kthejë prapa, kjo i bien që ne Evropën po e akuzojmë se nuk po na pranon e në të njëjtën kohë po bëjmë veprime anti-shtetërore dhe anti-evropiane. Andaj duhet të kemi kujdes dhe të jemi të matur sepse pasojat janë të paparashikueshme”, thotë ai.
Në fillimi të këtij viti, saktësisht me 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligji për Pagat në sektorin publik.
Me Ligjin e Pagave, koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.