Punëtori humb jetën në vendin e punës, arrestohen pronari i firmës dhe një tjetër person në Suharekë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së hënës në Suharekë, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë punës .
Referuar Policisë, rreth orës 14:30, më 1 shtator, në Emergjencën e Suharekës është sjellë pa shenja jete Pajtim Osmani, 35-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime të rënda në kokë derisa po punonte me një vinç ngarkues në rrugën Dubravë–Mushtishtë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetuesisë së Suharekës, hetuesit rajonalë, inspektori i punës dhe ekipi i forenzikës rajonale, ndërsa Prokurori ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë.

Pas ekzaminimit të rrethanave, Gazeta Sinjali raportoi se punëtori ishte në firmën “Noli” . Prokuroria ka urdhëruar që në cilësinë e të dyshuarve të intervistohen: Dashnor Mustafa, 34-vjeçar, pronar i kompanisë, për veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës” dhe Skender Osmani, 45-vjeçar, për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Të dyshuarve, pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe janë dërguar në qendrën e mbajtjes në stacionin policor të Prizrenit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.