Punëtori teknik kërkon kompensimin e shujtave ditore, Komuna e Malishevës thotë se s’ka buxhet të planifikuar
Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të hënën është mbajtur seanca përgatitore në rastin ku paditësi Asman Kryeziu, po kërkon nga Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim (DKAE), kompensimin e shujtave ditore.
I autorizuari i paditësit Kryeziu, avokati Agron Kryeziu, ka deklaruar se mbetët pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke kërkuar shujtat ditore sipas Kontratës Kolektive prej datës së hyrjes në fuqi të kësaj kontrate e deri më datën e sotme 24 maj 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç kësaj avokati Kryeziu, tha se për seancën e shqyrtimit kryesor do ta sjellë vërtetimin mbi ditët e punës së paditësit, për periudhën 2019 dhe 2021.
Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj ka deklaruar se e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pa bazuar, me arsyetimin se nuk mjete buxhetore të planifikuara për këtë kategori.
Pasi që palët ndërgjyqëse deklaruan se nuk kanë prova të tjera për të deponuar, gjyqtari i çështjes Nehat Qelaj, mori vendim që seanca e shqyrtimit kryesor të caktohet për datën 9 qershor 2021, në ora 09:00.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 28 korrik 2020, paditësi Asman Kryeziu po kërkon nga Komuna e Malishevës, respektivisht Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim kompensimin e shujtave ditore.
Në padi thuhet se, paditësi është i punësuar në SH.F.M.U “Dëshmorët e Fshatit Bubavec”, në fshatin Bubavec të Komunës së Malishevës, në pozitën e punëtorit teknik me 28 vite përvojë pune.
Bazuar në padi, paditësi kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës për kompensimin e shujtave ditore, por kjo e fundit nuk kishte kthyer përgjigje.
Tutje në padi thuhet se, paditësi bazën e kërkesëpadisë e ka mbështetur në nenin 35 paragrafi 7 i Kontratës Kolektive të Arsimit.
Prandaj, mbi këtë bazë paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e tij të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj shujtat ditore prej periudhës 18 prill 2017, deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore./BetimipërDrejtësi