23-11-2024

Qasja në dokumente publike, AIP mban takime informuese në 38 komuna, përfshirë edhe Prizrenin

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka bërë të ditur se në kuadër të një serie të takimeve me kryetarët dhe nënkryetarët e 38 komunave ka kërkuar nga ta përpunimin e të dhënave personale sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe garantimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Përmes një komunikate të lëshuar më 24.06.2024, bëhet e ditur se AIP ka kërkuar caktimin dhe fuqizimin e zyrtarëve për Mbrojtje të të Dhënave Personale si dhe zyrtarëve për Qasje në Dokumente Publike.

Agjencia po ashtu ka kërkuar hartimin dhe publikimin e politikave të privatësisë, hartimin e rregullores së brendshme për sigurinë e përpunimit të të dhënave personale, anonimizimin e të dhënave personale gjatë publikimit të dokumenteve që lëshon Komuna dhe publikimin proaktiv të dokumenteve publike në ueb faqen zyrtare të institucioneve/ komunave.

Sipas komunikatës takime informuese janë realizuar në komunat: Shtime, Ferizaj, Suharekë, Pejë, Klinë, Gjakovë, Deçan, Obiliq, Hani i Elezit, Kamenicë, Gjilan, Prishtinë, Dragash, Prizren, Skenderajt,Vitisë, Kaçanikut, Vushtrri, Podujevë, Lipjani, Zubin Potok, Mitrovicë Veriut, Mitrovicë e Jugut, Zveçan, Leposaviç, Graçanicë, Kllokot, Partesh, Ranillug, Novobërd, Fushë Kosovës, Malishevës, Rahovecit, Mamushës, Shterpcës, Istog, Gllogoc dhe Junik.

Këto takime janë realizuar në kuadër të planit gjashtëmujor të punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në informata./KALLXO.com

Asnjë koment

Comments are closed.