Qeveria e Kosovës po vret demokracinë dhe vullnetin e popullit përmes ndërhyrjes në kompetenca të qeverive lokale
Nga Dr. Nexhat Çoçaj
Debati për mos lëshimin e pagave, apo më mirë vonesat e qëllimshme nga ana e Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës tash e më shumë se një muaj, është duke u bërë pa asnjë bazë ligjore, përkatësisht në kundërshtim me ligjet në fuqi, mbi të cilat ligje mësimdhënësit i kanë kontratat e punës.
Duke mos dashur që të komentoj qëllimet politike të këtyre debateve në mes të Qeverisës së Kosovës dhe popullit të Kosovës në anën tjetër, dua që të ngre një çështje, ku dashe e pa dashur ka involvuar edhe komunat e Kosovës, përkatësisht vullnetin e popullit, pra kryetarët e komunave. Dikush do të pyes pse? Janë shumë arsye, por unë po i përmendi vetëm disa: – Së pari punëdhënës për mësimdhënës është Drejtoria Komunal e Arsimit e jo Ministria e Arsimit apo cilado ministri. Dhe për këtë arsye është përzierje e kompetencave, apo ndërhyrje me anë të shkeljeve ligjore.
– Së dyti Kontratat e mësimdhënësve janë të hartuara në bazë të dy ligjeve në fuqi: a) në bazë të nenit 10, paragrafi 3, të Ligjit të Punës nr. 03/L-212, nenit 5 (c) dhe b) në bazë të Ligjit për Arsim në Komunat e Republikës së Kosovës nr. 03/L-068, në bazë të të cilave ligje autorizohet Drejtoria Komunale e Arsimit t’i lëshojë kontratë një të punësuari në arsim.
– Së treti ndërhyrja e Qeverisës së Kosovës në kompetenca të Komunave, është shkelje e rëndë e ligjeve në fuqi, sepse pagat e mësimdhënësve janë pjesë e buxheteve komunale, pra paratë janë të komunës përkatëse që i takojnë mësimdhënësit.
– Së katërti me ndaljen e pagave për mësimdhënës, përkatësisht të ndaljes së buxhetit komunal nga ana e qeverisë hap një betejë të pakuptimtë në mes të komunave dhe qeverisë dhe njëherësh i obligon Komunat e Kosovës, përkatësisht kryetarët e komunave, që të protestojnë, sepse pas përfundimit të procedurave gjyqësore, ku mësimdhënësit do të dalin fitimtar, dëmtohet buxheti i komunave, sepse duhet të paguhen të gjitha obligimet ligjore dhe një pagë e ndalur komunës do t’i kushtojë pesëfishi i një page, ku gjithsesi fitues do të jenë gjykatat, përmbaruesit dhe avokatët, ndërsa humbës komunat dhe mësimdhënësit.
– Së pesti – kjo situatë e krijuar i obligon mësimdhënësit që t’ua mësyjnë dyerve të Drejtorive Komunale të Arsimit, sepse me to kanë kontrata, ndërsa DKA-të të bëjnë presion në kryetarët e komunave e kryetarët e komunave në qeverie.
– Së gjashti, nëse ndalen pagat, me çfarë të drejte Ministria e Arsimit do të kërkojë zëvendësimin e orëve të humbura, kur edhe ashtu ligjet ndërkombëtare mbi grevat i kanë të qarta këto çështje.
– Së shtati Qeveria e Kosovës, duhet urgjentisht t’i lëshojë pagat mësimdhënësve dhe t’i obligojë qeveristë lokale për veprime të mëtejme, në përputhje me kontratën që e kanë mësimdhënësit. E nëse kryetarët e komunave me drejtorët e arsimit nëpër komuna, nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm, mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e tyre, sepse nëse nuk janë në gjendje t’i mbrojnë të punësuarit e tyre si do t’i kryejnë detyrat dhe obligimet tjera.
E që të mos ndodhë, kjo kryetarët e komunave duhet urgjentisht që të ftojnë një mbledhje të të gjithë kryetarëve dhe drejtorëve të arsimit për ta ushtruar ndikimin e tyre në qeveri për zgjidhjen e këtij ngërçi. Në të kundërtën Qeveria e Kosovës me këto veprime po e vret demokracinë, po vret vullnetin e lirë të popullit dhe po ia humb kuptimin e zgjedhjeve të liria e demokratike.
P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.