27-11-2024

Qeveria ende pa vendim rreth pushimit një javor nëpër shkolla

Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse institucionet në arsimin parauniversitar do të hyjnë në pushim një javor, ashtu siç kanë propozuar MASH, udhëheqësit e IKShPK-së, ShSKUK-së, SBAShK-ut, gjatë një takimi me ministrinë në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Pushimi një javor iu është propozuar Qeverisë të ndodhë më 22 mars, në mënyrë që në fund të kësaj jave të vlerësohet gjendja epidemiologjike dhe të vendoset për format më të mira të zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim, ku është përmendu kështu edhe mësimi online.

Kjo nxiti reagime të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit në vend, pasi të njëjtit po vlerësojnë se shkollat nuk janë të përgatitura për të vazhduar mësimin në mënyrë virtuale. Teksa arsyetojnë pushimin një javor, duke thënë se orët e humbura mund të kompensohen në fund të vitit akademik.

Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk është pajtuar për një gjë të tillë.

Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti thotë për KosovaPress, se mbyllja eventuale e shkollave do të ishte në dëm të nxënësve.

“Është vendim i nxituar, është vendim i papjekur në aspektin e përgjegjësive të zyrtarëve të shtetit, të cilët drejtojnë një sektor të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, siç është sektori i arsimit. Është një vendim i pabazuar juridik dhe faktik për shkak që në këto rrethana, të kërkosh të mbyllen shkollat kur kafiteritë janë plot, kur bizneset punojnë, niveli lokal dhe qendror punojnë, është absurditet në vete. Është dëm i madh që po u bëhet nxënësve”, thotë ai.

Sipas tij, pushimi i parakohshëm prej një javë do t’i shërbejë vetëm institucioneve të vendit për të fituar kohë për të vlerësuar nëse do të shkojnë me mësimin virtual, gjë që sipas tij, është dashur të mendohet që prej fillimit të pandemisë.

“Qe një vit ne ballafaqohemi me situatën e pandemisë, edhe ne si Kosovë dhe gjithë bota. Prandaj një deklaratë e tillë vërtet është tepër shqetësues për neve, sepse nuk di për një vit institucionet e arsimit a kanë menduar për mësimin online apo kanë menduar për diçka tjetër… Ne nuk bënë të jemi pre ose të vuajmë pasojat e disa komunave që kanë probleme me shtimin e numrit të të infektuarve të mësimdhënësve ose nxënësve. Nga takimi që e kam pasur me prind të këshillit të prindërve të komunave del se shumë komuna të Kosovës nuk kanë pasur për njëherë mbyllje përnjëherë të një shkolle. Prandaj, nëse ka problem Prishtina, Peja ose Gjilani ato le të zbatojnë skenarin A, B, C”, thotë ai.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari thotë për KosovaPress, se kanë kërkuar që të mos ketë shkëputje klasike të vitit shkollor, por të kalojnë në mësimin ‘online’.

Sipas tij, SBAShK-u pajtohet dhe do të jap kontributin e vet për të dy variantet, atë të kthimit në bankat shkollore apo edhe të kalojnë në mësimin nga distanca.

Për këtë ai thotë se duhet të mobilizohen të gjitha institucionet në mënyrë që të krijohen kushte të përshtatshme që të gjithë nxënësit të kenë mundësinë për të ndjekur mësimet në mënyrë virtuale.

“Kushtet në Kosovë janë tepër të rënduara, kemi mungesë shumë të madhe të teknologjisë, edhe të llaptop-ve edhe për vet mësimdhënësit. Familjet dihet që i kanë fëmijët në shkolla, të gjithë duhet të inkuadrohen në procesin mësimor nga larg, e mos të flas për një pjesë të Kosovës ku rrjeti i internetit nuk ka arritur fare… Ne do të bëjmë të pamundurën që të arrijmë suksese sa më të mëdha. Por, kërkoj mirëkuptim nga prindërit sepse dihet mirëfilli që procesi mësimor në shkollë është diçka tjetër, ndërsa mësimi online mbahet sa për të mos u shkëputur tërësisht nga mësimi”, thotë ai.

Karshi rekomandimeve që institucionet arsimore të shkojnë në pushim 1 javor, ka reaguar edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi.

Ai ka arsyetuar shkuarjen në pushim në rast se një rekomandim i tillë vjen nga IKSHPK, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit, teksa ka shtuar se kjo javë e humbur mund të zëvendësohet në fund të vitit shkollor.

“Nëse IKSHPK vlerëson se duhet patjetër të ketë një ndërprerje të procesit arsimor, për të zvogëluar mundësinë e përhapjes së virusit, atëherë propozimi që të ketë një javë pushim-ndërprerje të procesit arsimor në shkolla dhe universitete (që i bie 9 ditë me ditët e fundjavave) është propozim shumë më i mirë se sa propozimi që të shkohet me mësim online për dy javë. Kjo javë e humbur pastaj mund të zëvendësohet në fund të vitit shkollor/akademik, me shpresën se deri atëherë do të kemi përmirësim të situatës me pandeminë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Të martën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit ‘online’ në të gjitha nivelet e arsimit. Porse deri më tash qeveria nuk ka dalë me asnjë vendimin.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhavit Rexhaj ka treguar për KosovaPress, se janë në pritje të këtij vendimi.

“Jemi në pritje të këtij vendimi. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mendon se është Qeveria e Kosovës që duhet të marrë vendimin për shkuarjen e shkollave në pushim një javor”, ka thënë ai përmes telefonit.

Asnjë koment

Comments are closed.