Qeveria franceze: Thaçi respektoi punën e Dhomave të specializuara
Pasi Gjermania kishte përshëndetur gatishmërinë për bashkëpunim të Presidentit Thaçi me Dhomat e Specializuara, tani ka reaguar Franca.
Franca e ka çmuar lart dinjitetin e treguar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje për të respektuar punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një përgjigje me shkrim, Ministria e Punëve të Jashtme e Francës lidhur me konfirmimin e aktakuzës për presidentin Thaçi, ka thënë se Franca e ka marrë shënim dorëheqjen e Presidentit Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës së tij nga Dhomat e Specializuara për Kosovën.
“Ne e përshëndesim dinjitetin të cilin ai e ka treguar, duke respektuar kështu punën e Dhomave të Specializuara për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ne e rikujtojmë, po ashtu, lidhjen tonë dhe përkrahjen tonë për Dhomat e Specializuara për Kosovën. Autoritetet franceze nuk i komentojnë vendimet e drejtësisë ose procedurat juridike në zhvillim. Franca e rikujton përndryshe përkrahjen e saj konstante për procesin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në këtë përgjigje.