Qeveria reagon pas vërshimeve: Po monitorojmë, thirrni numrin 112 në rast nevoje
Pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar. Megjithatë, siç njofton, deri tani vetëm po monitoron përkundër situatës tashmë të rëndë.
Në njoftimin e sontshëm të qeverisë, thuhet se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjell njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë, duke shtuar se po e monitorojnë së bashku gjendjen e krijuar.
“Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren”, thuhet në këtë njoftim.
“Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave. Forca e Sigurisë së Kosovës, është në dispozicion me të gjitha kapacitetet, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim. Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, thuhet tutje.
Për shkak se Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, qeveria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu bëhet e ditur se qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112.
Gjithashtu qeveria bën të ditur se qytetarët mund të thërrasin edhe në këta numra:
Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,
Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,
Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.