24-11-2024

Ekzekutivi i Haskukës fajëson ish-qeverisjen për ngecjen e disa projekteve

Fajin për ngecjen e disa projekteve, Ekzekutivi komunal i Prizrenit, në mbledhjen e sotme ia ka hedhur kryesisht mosrishikimit të buxhetit, projekteve të trashëguara, por të paplanifikuara mirë si dhe pezullimi i lejeve ndërtimore, shkruan ‘Gazetae Prizrenit.net’.

Kështu është konstatuar në mbledhjen e sotme të këshillit të drejtorëve komunal, të udhëhequr nga kryetari, Mytaher Haskuka.

“Në këtë mbledhje gjithashtu u paraqitën sfidat dhe projektet të cilat kanë ngecur për arsye të ndryshme, si dhe listimi i rezultateve kryesore nëpër drejtori. Si arsyet kryesore për problemet e paraqitura, janë vlerësuar të jenë mos rishikimi i buxhetit, projektet e trashëguara të paplanifikuara mirë dhe pezullimi i lejeve ndërtimore, që e ka penguar Komunën të lëshojë leje përgjatë gjysmës së parë të këtij viti”, thuhet në kumtesën e komunës.

Më tej, njoftohet se pavarësisht këtyre problemeve, inkasimi i të hyrave vetanake përgjatë këtij viti është vlerësuar tejet i kënaqshëm.

“Kryetari Haskuka, duke i përgëzuar drejtorët për punën e deritashme, ka kërkuar gjithashtu nga secili raportin vjetor të punës, në mënyrë që në fund të vitit të bëhet prezantimi i të gjitha projekteve të realizuara”, përfundon kumtesa.

Ndryshe, bordi i drejtorëve komunal, pas një kohe, sot ka mbajtur mbledhjen e hapur për media./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.