QKUK-së i shtohen 46 specialistë, i ikin 18
46 specialistë janë punësuar gjatë këtij viti në QKUK, derisa 18 prej tyre kanë shkëputur marrëdhënien e punës, kryesisht për shkak të pensionimit. Drejtorë të klinikave kanë thënë se kanë nevojë edhe për më shumë specialistë, derisa, pavarësisht nevojave për staf mjekësor, nga Oda e Mjekëve është thënë se mjekët po ikin nga Kosova.
Për 9 muajt e parë të këtij viti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë punësuar 46 specialistë të fushave të ndryshme, derisa po gjatë kësaj periudhe nga QKUK-ja janë larguar 18 specialistë, 15 për shkak se janë pensionuar, ndërsa katër specialistë kanë lënë punën me vetëdëshirë.
Gjatë muajit janar deri në fund të muajit shtator të këtij viti, sipas të dhënave të dërguara nga QKUK-ja për “Zërin”, janë pranuar 11 mjekë specialistë të Anestezionit në Klinikën e Anesteziologjisë dhe të Mjekimit Intensiv, 4 specialistë në Klinikën e Pulmologjisë, dy mjekë specialistë në Klinikën e Oftalmologjisë, një në Klinikën e Biokimisë, një në Ortopedi, një specialist i mikrobiologjisë në Infektivë, një specialist në Urologji, dy embriologë, një fizikan mjekësor në Klinikën e Radiologjisë, një në Klinikën e Onkologjisë etj.
Po ashtu gjatë kësaj kohe, për shkak të pensionimit kanë ndërprerë marrëdhënien e punës: një specialist në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, një specialist në Dermatovenerologji, një mjek specialist në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, një mjek specialist në Gjinekologji, një në Klinikën e Urologjisë, një surdollog në Klinikën e ORL-së, një specialist në Institut, një specialist te Sëmundjet Ngjitëse etj. Ndërsa nga vetëdëshira ka lënë punën një specialist në Kirurgjinë Abdominale, një specialist në Klinikën e Gastroenterologjisë dhe dy në Klinikën e Anesteziologjisë dhe të Mjekimit Intensiv.
Zyra për informim në QKUK ka thënë për “Zërin” se numri i specialistëve që punësohen dhe kërkojnë punësim në QKUK është shumë më i madh i krahasuar me specialistët që lëshojnë punën.