QRTK Prizren vlerëson Mullirin e familjes Misini në Zgatar të Opojës
Në kuadër të procesit të rivlerësimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për vitin 2025 në Komunën e Dragashit, ekipi profesional i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren realizoi një vizitë të detajuar në terren.
Një ndër objektet që mori vëmendje të veçantë ishte Mulliri i familjes Misini, i vendosur në fshatin piktoresk të Zgatarit, përcjell Gayeta e Prizrenit.
Ky mulli, që përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike dhe kulturore për rajonin, u inspektua me qëllim të dokumentimit të gjendjes aktuale dhe kryerjes së matjeve teknike të nevojshme për përgatitjen e planeve arkitektonike. Gjatë vizitës, u analizua si arkitektura e jashtme, e cila dëshmon për harmoninë e objektit me mjedisin natyror, ashtu edhe hapësirat e brendshme funksionale, të pasura me elemente autentike.
Matjet dhe dokumentacioni vizual i realizuar në vendngjarje përbëjnë bazën për fazat e mëtejme të procesit të rivlerësimit, si dhe për hartimin e strategjive për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të komunës. /Gazeta e Prizrenit/