Radhë të gjata, ja sa ka kërkesa të reja për pasaporta nga janari
Mbi 55 mijë qytetarë kanë aplikuar për herë të parë për tu pajisur me pasaporta nga fillimi i janarit të këtij viti, kur edhe është bërë liberalizimi i vizave. Radhë të gjata të qytetarëve janë parë gjatë këtyre dy muajve para Agjencive të Regjistrimit Civil për t’u pajisur me këtë dokument.
Gëzim Muhaxheri nga Peja për herë të parë po pajiset me pasaportë të Kosovës. Pas liberalizimit të vizave, ai ka vendosur të shkojë për vizitë në Gjermani.
“Është hera e parë që aplikojë pas 65 viteve për pasaportë. Tani jam duke e tërhequr pasaportën”, thotë Gëzim Muhaxheri, qytetar.
Për herë të parë për pasaportë ka aplikuar edhe Mehdi Selmani, i cili po planifikon po ashtu të shkojë për vizitë në Gjermani.
“Kam aplikuar për pasaportë që 10 ditë, kurrë nuk kam pas, për herë të parë kam aplikuar. Kam për të shkuar tek një vëlla”, thotë Mehdi Selmani, qytetar.
Radhët e qytetarëve ishin të gjata të mërkurën para Agjencisë së Regjistrimit Civil në Prishtinë, për t’u pajisur me pasaporta.
Vetëm nga 3 janari i këtij viti e deri më 13 shkurt, 55 mijë e 410 qytetarë kanë aplikuar për herë të parë për t’u pajisur me këtë dokument.
“Vitin e kaluar kanë aplikuar dhe janë pajisur me pasaportë diku rreth 300 mijë qytetarë. Rritja e kërkesave fillon në muajin dhjetor. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar kanë aplikuar 36 mijë qytetarë. Por rritja vazhdon edhe gjatë këtij viti. Në janar kanë aplikuar 71 mijë, ndërsa në muajin shkurt kanë aplikuar 27 mijë qytetarë”, thotë Blerim Camaj, drejtor i Agjencisë së Regjistrimit Civil.
Rritja e kërkesave ka zgjatur edhe pritjet për t’u pajisur me pasaportë.
“Jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe pritjet janë më të gjata se që janë të parapara me ligj. Kështu që diku rreth 30 ditë qytetarët duhet të presin për t’u pajisur me pasaportë”, thotë Camaj.
Nga muaji mars, Agjencia e Regjistrimit Civil ka planifikuar t`i rrisë kapacitetet e prodhimit./rtk/