23-11-2024

Rahovec: Dënohet me burgim me kusht dhe gjobë pasi gjuajti me armë në një aheng familjar

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Sh. Krasniqi.

Ai është dënuar edhe me 500 euro gjobë, ndërsa dënimi me burgim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën dy vjeçare, i akuzuari Krasniqi nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, i akuzuari Krasniqi, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes dhjetë anëtarshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, e cila tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjykatësi Shabani, ka marrë vendim për të konfiskuar armën dhe municionin e gjetur si dhe të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 18 shtator 2017, ndaj Sh. Krasniqit, duke e ngarkuar atë me veprën penale “shkaktim i rrezikut te përgjithshëm” dhe veprës penale “mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 20 gusht 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Dobidol të Rahovecit, rreth orës 21:40, duke përdorur armën e tipit “TT M57”, e kalibrit 7.62 mm, e nën ndikimin e alkoholit, shtënë në ajër në një aheng familjar, ka rrezikuar jetën e të dëmtuarit Bekim Krasniqi dhe familjarëve të tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari deri më 20 gusht 2017 pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion dhe atë një revole të tipit “TT M57”, e kalibrit 7.62 mm dhe 44 fishekë, ku pas rastit, Policia  e arrestojnë, e më pas arma dhe fishekët i janë konfiskuar. /BetimipërDrejtësi.

Asnjë koment

Comments are closed.