Rahovec: Kundërshtohet varianti 6 i autostradës së Dukagjinit
Pas autostradave Ibrahim Rugova, Arbën Xhaferi dhe asaj të Gjilanit, në Kosovë, këtë vit pritet të filloj edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit. Për ndërtimin e saj, janë propozuar disa variante, e nga Ministria e infrastrukturës, varianti 6 i saj, po cilësohet si më i miri, ndërsa po kundërshtohet nga një grup qytetarësh në Rahovec. Suad Çmega, nga Këshilli i qytetarëve kundërshtues, tregoi për Radio Kosovën arsyet se pse për rahovecianët varianti 6 i autostradës është i pa pranueshëm.
“Ne e kundërshtojmë variantin 6, sepse me këtë dëmtohen tokat bujqësore, dëmtohet Drinin e Bardhë. Poashtu, ky variant është i pa favorshëm për ne, sepse kyçja nga qyteti është jashtëzakonisht e largët. Kyçja më e afër është në gjatësi prej 14 kilometra. Në disa fshatra largësia shkon deri në 20 kilometra” tha ai.
Sipas Çmegës, i cili është edhe profesionist i gjeodezisë, varianti 1 është më i përshtatshëm për rahovecianët, pasi që, traseja kalon në tokë jopjellore dhe ka kosto më të lirë ndërtimi, krahasuar me variantin 6.
Vetëm me shpronësim kemi në kosto më të madhe diku rreth 50 milion euro, plus gjatësia e cila është për 4 kilometra më e gjate. Edhe këtu kemi një kosot prej 40 milion euro. Do të thotë diku rreth 90 milion euro është më i shtrnjt varianti 6 i autostradës në krahasim me atë numër 1”.
Rahovecianët që po kundërshtojnë variantin 6 të autostradës së Dukagjinit, paralajmërojnë edhe protesta në rast se ankesa e tyre nuk merren parasysh. Ndërkohë Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, thotë se ndonëse nuk është vendosur për projektin final të autostradës, varianti 6 aktualisht është më i miri.
“Sa i përket shpronësimit, ka shumë me pak toka që do të shpronësohen. Do të jetë ekonomikisht më i favorshëm. Është marrë parasysh stabiliteti i truallit, faktori ekologjik, trajtimi i ujërave sipërfaqësore. Krejt këto janë marrë parasysh dhe nuk po ndërmerret asnjë veprim për me pas pakënaqësi nga kushdoqoftë”.
Sipas Zejnajt, varianti 6 i autostradës së Dukagjinit nuk është përfundimtar. Ai tregon për Radio Kosovën se së shpejti, komiteti ndërministrorë do të vendosë për variantin final të autostradës. Autostrada e Dukagjinit do të fillojë së ndërtuari këtë vit dhe pritet t’i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro./rtklive