Rahovec: Një vit burg për të akuzuarin që pranoi se kishte vjedhur një orë dore, telefon, laptop dhe gjëra tjera
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me një vit burgim efektiv të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Bajram Pista.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Ilir Rashkaj, pasi që në seancën e kaluar i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dënimin me burgim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 20 mars 2019, deri më 19 prill 2019.
I akuzuari është obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro, ndërsa i dëmtuari është udhëzuar në kontest juridiko-civil.
Gjykatësi Rashkaj, ka deklaruar se kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë më 11 prill 2019, ndaj Bajram Pista, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Ai akuzohet se më 7 shkurt 2019, rreth orës 19:30, në Rahovec në rrugën “Sadedin Hajda”, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë përfitime të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit Ali Zatriqi.
Në aktakuzë thuhet i akuzuari në ditën kritike hap derën kryesore të shtëpisë duke hequr një xham, depërton brenda dhe aty vjedh një orë dore në vlerë 250 euro, një telefon të tipit “Iphone 5S”, në vlerë 350, një laptop me vlerë 400 euro, një varëse të arit në vlerë 200 euro, një “Sony Playstation”, në vlerë 200 euro dhe një “burmashinë”, dhe largohet në drejtim të panjohur. /Betimipërdrejtësi