Rahovec: Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me katër muaj burgim me kusht për të akuzuarin për veprën penale “vjedhje të shërbimeve”, A. Krasniqi.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Krasniqi nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas fillimit të seancës, prokurori Anton Hasanaj ka bërë rikualifikimin juridik nga vepra penale “Vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së, në veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 paragraf 6 lidhur me paragraf 1 të Kodit të ri Penal, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.
Këtë rikualifikim, ka thënë se e bënë duke u bazuar në parimin e zbatimi të ligjit më të favorshëm për të pandehurin, pasi që me Kodin e ri Penal, është paraparë dënimi alternativ me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, për këso veprash penale.
Pas kësaj, i akuzuari Krasniqi, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, pensionist, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Anton Hasanaj, duke shtuar se është bërë me vetëdije dhe vullnet të plotë, si dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjykatësi Rashkaj, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 30 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 16 mars 2017, ndaj Asllan Krasniqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 08 qershor 2016, në shtëpinë e tij në fshatin Senoc të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.
Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetit përfitime pasurore të kundërligjshme i njëjti përmes kabllos jashtë njehsorit elektrik është furnizuar me energji elektrike, gjendje kjo e konstatuar nga personat e autorizuat të KEDS-sit, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar.
Sipas aktakuzë, me këtë rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 495.36 euro. /Betimipërdrejtësi.