Rahovec: Shtyhet gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon nga BKS-ja kompensimin e dëmit në vlerë 5 mijë euro
Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të enjtën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega Rahovec, në çështjen civile ku paditësi Skender Canziba po kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kompensimin e të hollave në vlerë prej 5 mijë euro.
Para kohës kur pritej të fillonte seanca, gjykatësi Betim Behluli ka komunikuar me palët ndërgjyqëse lidhur me çështjen e kontestit dhe ofertat të cilat janë prezantuar deri me tani, ku me qëllim të ekonomizimit të procedurës palët ndërgjygjëse janë përafruar që këtë çështje kontestimore ta përmbyllin me marrëveshje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i paditësit, Shpejtim Berisha, ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet dhe e njëjta të caktohet për një datë tjetër, deri në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për rastin në fjalë.
Pas këtij deklarimi, gjyqtari Behluli ka aprovuar kërkesën e tij ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me 16 prill 2020, në ora 11:00.
Sipas padisë, me 30 prill 2016, rreth orës 10:10, në aksin rrugor Rahovec-Xërxe, pikërisht në fshatin Bërrnjakë, është shkaktuar aksident trafiku, ku pjesëmarrëse ishte vetura “N.N” si dhe këmbësori Skënder Canziba.
Në padi thuhet se këmbësori Canziba ka pësuar lëndime të rënda trupore, i cili ditën kritike ishte dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë dhe atë në repartin e emergjencës.
Andaj në bazë të kësaj, paditësi ka ngritur padi ndaj BKS-së për kompensimin e dëmit jo material në vlerë prej 5,000 euro./BetimipërDrejtësi.