Rahoveci kundër Variantit 6 të “Autostradës së Dukagjinit”, dëmtohet edhe Drini i Bardhë
Suad Çmega e Jeton Haxhijaha, nga Këshilli i qytetarëve të Rahovecit, në Express Intervistën në KTV, ka thënë se kanë zhvilluar debate ku u pajtuan edhe ekspertë e inxhinierë, që ky variant që ka përkrahur edhe Lekaj, apo siç njihet si Varianti i 6-të, është i dëmshëm për Rahovecin.
Çmega ka thënë se nga 3 debate që kanë zhvilluar, 2 debate janë mbajtur me ekspertë e inxhinierë, e i fundit me qytetarë. Ai tha se nga 3 debatet e prezantuaram më i favorshmi ka qenë varianti numër 1, që kalon pranë qytetit të Rahovecit, apo pak më larg nga qendra e Rahovecit. Ai ka thënë se kalon nëpër tokë jopjellore dhe kostoja do të ishte shumë më e lirë, sesa varianti 6, paralel me Drinin, që është prezantuar nga ministri Pal Lekaj e kryetari Smajl Latifi.
Ai tha se varianti i Lekajt e Latifit, përkundër të gjitha dëmeve që sjellë, edhe çmimin e ka shumë të lartë, e madje kalon nëpër toka pjellore dhe do të dëmtohej gjithë sistemi i ujitjes.
“Kjo ide s’ka gëzuar mbështetje sepse do kishte kosto të madhe dhe do të degradohej Drini. Më pas, u paralajmërua debati 3 ku ishte edhe ministri Pal Lekaj. Ai vetë më herët ka cekur se autostrada do të shkonte me variantin e parë, që e mbështetëm të gjithë. Por në debatin e tretë, kur menduam se veç do të diskutonim për detaje, erdhëm para aktit të kryer se kinse varianti më i përshtatshëm është ai që autostrada të kalojë pranë Drinit të Bardhë”, tha Çmega, transmeton Koha.net.
Sipas tij, ka pasur manipulim në debatin e tretë.
“Na është servuar diçka që qytetarët dhe as ekspertët nuk e përkrahin. Ky variant është jashtëzakonisht i dëmshëm për komunën e Rahovecit”, tha ai.
Ndërkaq anëtari tjetër, Jeton Haxhijaha, ka thënë se duhet kyçje sa më afër Rahovecit, diku 4 apo 5 kilometra larg qytetit.
“Me implementimin e kësaj autostrade duhet ruajtur zhvillimi i tregut bujqësor, kështu vetëm se dëmtohet”, tha ai.
Sa i përket kostos, sipas variantit të qytetarëve, do të ishte shumë më lirë.
Diferenca lëviz diku 40 deri 50 milionë euro.
“Kjo trase që për ne nuk është e favorshme është 50 milionë euro më e shtrenjtë”, tha ai.
Nga ky projekt, sipas Çmegës, qytetet tjera përfitojnë më shumë, ndërkaq vetëm Rahoveci dëmtohet.
“Kyçja do të jetë rreth 14 km nga qendra e Rahovecit. Pretendohet se Rahovecit po i bëjnë favor por s’qëndron ashtu, vetëm degradohet edhe rrjedha e Drinit të Bardhë”, tha ai.
Sipas tyre, me këtë projekt po bëhet vetëm shkelje ligjore.
Kompania projektuese, sipas Çmegës e Haxhijahës, ka pohuar se nuk është bërë kurrfarë analize për këtë rrugë, por dikush i ka obliguar ta ndërtojnë.
Kujtojmë se sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit si dhe autoriteteve komunale të Rahovecit, më herët është pohuar se kanë bërë përpjekje që projekti i ndërtimit të “Autostradës së Dukagjinit” të mos i dëmtojë tokat bujqësore të kësaj ane.
Ministri i MIT-it, Pal Lekaj, është zotuar se paralelisht me ndërtimin e autostradës do të rregullohet edhe shtrati i Drinit të Bardhë.
Por Këshilli i qytetarëve të komunës së Rahovecit, i formuar së fundmi, po vazhdon të kundërshtojë draft variantin e “Autostradës së Dukagjinit” për pjesën e kësaj komune të propozuar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi.
Varianti 6, sipas tyre po konsiderohet më i dëmshmi prej të gjithëve.