Rama i quan “gomarë e tradhtarë” ata që janë kundër Thaçit
Në një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ky i fundit ka folur për temën e korrigjimit të kufijve.
Rama ka thënë se kush është kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “është tradhtar dhe gomar”.
Rama u pyet në lidhje me idenë e presidentit të Kosovës për korrigjim të kufirit ku sipas kryeministrit të Shqipërisë tha se nuk mund të ecet gjithmonë me takime ku bëhen vetëm fotografi.
“Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit është tradhtar, e tradhtari është gomar”, tha ai, transmeton ksp.
Për tarifën 100 për qind, Rama tha se vendimi i Qeverisë të Kosovës është reagimi më normal në një situatë anormale.
“Nuk mundet dot të vazhdojë të pranojë Kosova që mallrat e Kosovës të jenë të palejuara e mallrat serbe të vazhdojnë të hyjnë”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria është e interesuar të ndërtojë raporte strategjike me Serbinë.
“Por Serbia nuk duhet të përdor dy fytyra, një me Kosovën e një me Shqipërinë. Kjo është e papranueshme. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Shqipëria dhe Kosova do të ecin dorë për dorë si dy shqiponja krenare”, tha Rama.