27-11-2024

Ramadan Muja pritet të dëgjohet në rigjykimin ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit

Ramadan Muja, ish kryetar i Prizrenit, pritet të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rigjykimin ku Bujar Nerjovaj, ish-drejtor i Inspektoratit në Prizren, po akuzohet për korrupsion.

Ky vendim është marrë të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Xheladin Osmani, ku ka nisur rigjykimi ndaj Nerjovajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Nerjovaj, u deklaua sërish i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Pas kësaj, palët kanë qëndruar prapa fjalëve hyrëse që kanë dhënë në shqyrtimin e kaluar dhe seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, Ruzhdi Daka, Nexhmedin Musliu, Fail Hoxhaj dhe Drita Grazhda.

Të gjithë dëshmitarët deklaruan se qëndrojnë prapa deklaratave që kanë dhënë më herët.

Dëshmitari Musliu, duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit, se a i kujtohet se njërin prej konkluzioneve që e kishin nënshkruar bashkë, ai si drejtor e dëshmitari si inspektor, se të njëjtën a e ka pas nënshkruar edhe ish-kryetari Ramadan Muja, dëshmitari tha se: “Më duke se po”.

E dëgjimit të dëshmitarëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, e pyeti prokurorin se a qëndron prapa propozimit që sërish të ftohet në cilësi të dëshmitarit ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, për çka, prokurori tha se po.

Më pas, gjykata e ka aprovuar propozimin e prokurorit që të ftohet në cilësi të dëshmitarit Ramadan Muja, si dhe gjykata do të marrë informata nga Komuna e Prizrenit lidhur me personelin e nivelit qendror dhe pas marrjes së informacioneve do ta ftojnë të njëjtin në mënyrë të rregullt.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36 mijë e 143 euro.

Me këtë, Nerjovaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.