Raporti zyrtar: Ja kush e negocioi largimin e terroristëve nga Banjska
Në raportin e diskutuar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, është shkruar që misioni i KFOR u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.
Për këtë pjesë, ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lankaster që është raportues për Ballkanin Perëndimor, ka cituar një raport të hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, veçse jo edhe në paragrafët ku e shpjegojnë në detaje rolin e të shumë kërkuarit serb Milan Radoiçiq në sulmin terrorist të Banjskës dhe të shpallur të padëshiruar në Amerikë e në Britani të Madhe.
Në dokumentin ku tregohet ne detaje historia e Kosovës, e problemet me Serbinë, vëmendje e madhe i është dhënë krejt veriut të Kosovës.
“Në qendër të mosmarrëveshjes janë dy çështje kyçe: mosnjohja (dhe fushata ndërkombëtare aktive kundër njohjes) dhe mënyrat dhe mjetet e integrimit të popullsisë serbe të Kosovës – veçanërisht në katër komunat veriore që kufizojnë me Serbinë, ku serbët përbëjnë rreth 90% të popullsisë. Katër komunat janë ende pjesërisht nën kontrollin e Beogradit, ndërsa Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin mbi totalitetin e territorit të vet”, thuhet më tej në raport.
Megjithatë, sfidë vlerësohet të jetë zbatimi i ujdive të arritura mes Kosovës e Serbisë.
Komisioni për mbrojtje e siguri u mblodh të shtunën, në ditën e parë te mbledhjes 3 ditëshe të asamblesë së NATO-s, ku në rend të ditës të hënën është edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar./IO