Raportohet se INTERPOL ka lëshuar fletarrest për Milan Radoiçiqin
INTERPOL-i ka lëshuar fletarrest për të sanksionuarin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq.
Kështu po raportohet në media dhe një gjë e tillë akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Radoiçiq u pa së fundmi në manastirin e Banjskës në veri të vendit, ku udhëhoqi grupin terrorist serb, në sulmin ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
Një pjesë e terroristëve kanë arritur të largohen, ndër ta edhe Radoiçiq, i cili ishte i plagosur dhe shërohej në Serbi.
Dy muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar video nga banesa dhe vila e terroristit Radoiçiq, për çka pati shkruar se kanë dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi grupit terrorist në Banjskë ishte Milan Radoiçiq.
Ndërkaq, sot është raportuar se Policia e Kosovës ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe e që i përket Radoiçiqit. /GazetaSinjali/