Rasti Bytyçi: Dëshmitarët “kishin frikë” të paraqisnin prova kundër ish-komandantit të xhandarmërisë serbe
“Dëshmitarët që kanë pasur njohuri për vrasjen e vëllezërve Bytyçi me prejardhje nga Suhareka kanë qenë shumë të frikësuar për të ofruar dëshmi kundër Goran Radosavleviq Gurit, ish-komandant i xhandarmërisë serbe”, tha Jennifer Brass, ish-drejtore e Zyrës për Ballkanin në Departamentin amerikan të Shtetit.
Ajo i bëri komentet në një interviste për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Brass, ish-zëvendëse e ambasadorit amerikan në Beograd, tha se ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën Federale të Hetimit në SHBA (FBI) në kërkim të dëshmitarëve, por shtoi se ata mund të mos jenë më në Serbi.
“Derisa kam punuar në ambasadën amerikane në Beograd, kemi pasur përfaqësues të FBI-së, i cili ka bashkëpunuar me njerëz që janë marrë me krime lufte, si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë… Edhe në atë kohë e kemi ditur se komandant i kampit ku janë vrarë vëllezërit Bytyçi, ka qenë Goran Radosavleviq Guri. Besojmë se ai ka dhënë urdhër për vrasjet. Guri më vonë, siç kam dëgjuar, ka themeluar një kompani të sigurisë, që gjithashtu ka punuar për Partinë Demokratike (të Serbisë) kur ka qenë në pushtet”, tha Brass.
Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyçi – shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova – janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.
Trupat e tyre të pajetë janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001, dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.
Brass tha se SHBA-ja është e zhgënjyer që përkundër sigurive të dhëna nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do të punojë në këtë rast, Goran Radosavleviq Guri është bërë anëtar i Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi dhe udhëhiqet nga Vuçiqi.
Vëllezërit Bytyçi kishin lindur në Chicago, në shtetin e Illinoisit, në vitet ‘70, pasi kryepatriarku i kësaj familjeje, Ahmeti, i detyruar nga dhuna jugosllave, qe zhvendosur nga Prizreni dhe qe vendosur në Chicago. Në vitin 1979, një pjesë e familjes që përbëhej nga Ylli, Agroni, Mehmeti, nëna Bahrija dhe dy fëmijët e tjerë ishte kthyer në Kosovë që të kujdeseshin për prindërit e Ahmetit.