Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar opinionin publik se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendimin, që rasti i Astrit Deharit, të kalojë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale.
Ndërkaq, mbikëqyrja e këtyre prokurorëve në trajtimin dhe progresin e veprimeve të ndërmarra në këtë çështjeje paraprake penale do të bëhet nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Po ashtu, bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkojë që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti.